Lutje e përsosur dhe shumë emocionuese e Profetit Muhamed s.a.v.s.

Hazret Abdullah Ibni Abasi r.a. rrëfen: “Një natë e dëgjova të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke bërë lutjen vijuese, pasi kishte mbaruar namazin”.

Siç tregon Buhariu, pjesën e dritës të kësaj lutjeje, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e thoshte edhe para namazit të sabahut:

O Allah! Kërkoj prej Teje mëshirën që ma drejton zemrën, që ma rregullon problemin, që ma zgjidh të pazgjidhurën, që ma kthen të humburën, që më lartëson atë që kam, që ma pastron veprën, që më dikton urtësinë, që më kthen atë që dua, që më shpëton nga çdo e keqe.

O Allah! Më dhuro besimin dhe bindjen, të cilën nuk e pason asnjë mosbesim. Më dhuro mëshirën që më sjell bujarinë Tënde në këtë botë dhe në botën tjetër. O Allah! Të kërkoj sukses në çdo dhuratë e caktim, të kërkoj mikpritjen që u bëhet dëshmorëve, jetën e faqebardhëve, ndihmën kundër armiqve!

O Allah! Kam ardhur te Ti për problemin tim. Nëse kam mendimin të mangët dhe veprën të dobët, Ty të lyp mëshirën. Ty të kërkoj, o Gjykuesi i të gjitha çështjeve dhe Shëruesi i zemrave që, ashtu siç shpëton dikë nga deti i tërbuar, të më shpëtosh edhe mua nga ndëshkimi i zjarrit, nga thirrja e gjëmës dhe nga dënimi e varrit.

O Allah! Të mirën që nuk ka menduar dot mendja ime dhe që nuk e kam imagjinuar dot dhe që nuk ta kam kërkuar dot, por Ti ia ke premtuar ndokujt prej krijesave të Tua ose të mirën që Ti ia ke dhuruar ndokujt prej robërve të Tu, ta kërkoj falë mëshirës Sate, o Zoti i të gjitha botëve, sepse e dua atë.

O Allah! O Ti që mban lidhje të fortë! O Ti që zotëron urtësinë! Të kërkoj paqen në ditën e dënimit dhe xhenetin gjatë kohës që do të jetë e përhershme, bashkë me robërit e Tu të afërt, me ata që bëjnë ruku dhe sexhde dhe që përmbushin premtimet e tyre. Me të vërtetë, Ti je Mëshirëplotë dhe burim i dashurisë. Ti bën atë që do.

O Allah! Na bëj të udhëzuar dhe udhëzues e jo të devijuar e devijues dhe na bëj paqe për miqtë e Tu, luftë për armiqtë e Tu. Për hir të dashurisë Sate, ne duam çdokënd që Ti e do dhe për hir të armiqësisë Sate, kemi armik çdokënd që të ka kundërshtuar. Kjo është e gjithë lutja, e pranimi të takon Ty. O Allah! Kjo është e gjithë përpjekja, e mbështetjen e kemi vetëm te Ti.

O Allah! Bëj dritë në zemrën time, dritë në varrin tim, dritë para meje, dritë pas meje, dritë në të djathtën time, dritë në të majtën time, dritë mbi mua, dritë poshtë meje, dritë në dëgjimin tim, dritë në shikimin tim, dritë në flokët e mi, dritë në lëkurën time, dritë në mishin tim, dritë në gjakun tim dhe dritë në kockat e mia. O Allah! Më bëj të kuptoj rëndësinë e dritës, më dhuro dritë dhe më bëj mua dritë!

I Shenjtë është Ai, që na shfaqet i Respektueshëm me veshjen e Tij të fisnikërisë e bujarisë. I Shenjtë është Ai, përballë të cilit nuk mund të përshkruhet shenjtëria e askujt tjetër. I Shenjtë është Ai, që zotëron dhuntinë dhe bekimin. I Shenjtë është Ai, që zotëron shenjtërinë dhe bujarinë. I Shenjtë është Ai, që zotëron madhështinë dhe nderin. (Tirmidhiu, Kitabud-da’vat, bab ma jekulu idha kama minel-lejl)

 

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: