Historia e profetit Sulejman a.s (pjesa 2)

Sulejmani a.s me Belkisën
Kjo ndodhi, është një ndodhi e mbushur me vlera. Ajo fillon me traditë të përditshme të Sulejmanit a.s, i cili para se të fillonte punët kontrollonte të gjithë ushtarët dhe punonjësit e tij.
“Ai bëri kontrollin e shpendëve e tha: “Pse nuk e shoh pupëzën këtu, a nuk është e pranishme ajo? Nëse nuk do të më sjellë arsyetim bindës, do ta dënoj me dënim të rëndë ose do ta ther!” (Neml, 20-21)
Me të ardhur pupëza, qëndroi pak si larg nga Sulejmani a.s dhe menjëherë foli dhe tha:”Nuk vonoi shumë e ajo erdhi dhe tha: “Kam marrë vesh diçka që ti nuk e ke ditur dhe të kam sjellë lajme të vërteta prej (qytetit të) Shebës. – Duket qartë se pupëza fliste pa droje dhe frikë, edhe pse fliste para mbretit më të fuqishëm që ka ekzistuar dhe do të ekzistojë ndonjëherë mbi faqen e tokës – Kam parë një grua (Belkisën)që sundonte popullin (e atij qyteti që ishte Jemeni). Aja zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor. Kam parë se ajo dhe populli i saj adhuronin Diellin e jo Allahun. Djalli ua paraqiste të bukura sjelljet e tyre, duke i larguar nga rruga e drejtë, prandaj nuk ishin të udhëzuar. Ata nuk i përuleshin në sexhde Allahut, i Cili nxjerr gjithçka që është e fshehur në qiej dhe në Tokë dhe di çfarë fshihni ju dhe çfarë tregoni haptazi. Allahu është Një, s’ka zot të vërtetë përveç Tij, Zotit të Arshit të madh!” (Neml, 22-26)
Pupëza, nga të gjithë cilësitë e Zotit, përmendi dijen e Tij të gjerë, e cila i mundëson të ketë informacion mbi gjithçka të fshehtë në tokë dhe ne qiej. Kjo cilësi i shkonte për shtat vetë pupëzës, pasi ajo zbulonte vendet ku uji gjendej më pranë sipërfaqes së tokës. Sa herë që Sulejmanit i nevojitej ujë, ishte pupëza që e orientonte në vendet më të përshtatshme për të hapur puse.
Fjalën e saj, pupëza e mbyll me Arshin (fronin) e Zotit dhe këtë e bën, pasi kishte përmendur në fillim fronin e Belkisës. Kjo, me qëllim që njeriu mos të mashtrohet nga madhështia dhe bukuria e fronit të Belkisës, pasi ai nuk vlen asnjë grosh në krahasim me Arshin e Allahut të lartësuar.
“Sulejmani tha: “Do të shohim se a thua të vërtetën apo je gënjeshtar.” (Neml, 27) Ai u habit nga gjithçka që i tregoi pupëza. Në atë kohë ishte e papranueshme që gruaja të udhëheqë një popull. Veç kësaj, si ishte e mundur që adhuronin diellin dhe jo Zotin e diellit dhe të universit?! Si ishte e mundur që kjo grua të posedojë thesare dhe pasuri kaq të shumta, saqë froni i saj ia kishte marrë mendjen pupëzës së tij?!
“Shko me këtë letër timen e çojua atyre. Pastaj largohu pak nga ata dhe shiko cila do të jetë përgjigjja e tyre!” (Neml, 28)
Pupëza u nis menjëherë për udhëtim dhe me të arritur në Jemen, hyri në pallatin e Belkisës, ia hodhi letrën e Sulejmanit a.s pranë dhe qëndroi në ballkon për të dëgjuar se çfarë do të ndodhte. Pasi e gjeti letrën, Belkisa e lexoi dhe menjëherë mblodhi parinë e vendit.
“Mbretëresha (e Shebës) tha: “O paria ime! Mua më ka ardhur një letër fisnike. Ajo është nga Sulejmani dhe është: “Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Mos u madhështoni para meje dhe ejani të përulur si besimtarë!” – përveçse u kërkonte t’i nënshtroheshin, Sulejmani a.s u kërkonte të përqafojnë dhe fenë e besimin e tij në një Zot të vetëm – Ajo tha: “O paria ime, më këshilloni se ç’duhet të bëj në këtë çështje! Unë nuk do të vendos asgjë pa ju! Ata thanë: “Ne jemi shumë të fortë dhe luftëtarë të guximshëm, por urdhri të takon ty, andaj mendo mirë se ç’do të urdhërosh!” (Neml, 29-33)
Populli dhe paria e Belkisës ishte njerëz të fuqishëm dhe të zgjuar. E tillë ishte dhe mbretëresha e tyre, gjë e cila duket nga fjalët e saj. Ishte pikërisht kjo zgjuarsi dhe mençuri që ia kishte mundësuar të mbajë pushtetin.
“Ajo tha: “Njëmend, kur mbretërit pushtojnë ndonjë vendbanim, e rrënojnë atë dhe e poshtërojnë parinë e tij. Kështu veprojnë ata. ani do t’u dërgoj atyre një dhuratë dhe do të shoh me se do të kthehen të deleguarit.”(Neml, 34-35)
Duke i dërguar Sulejmanit a.s një dhuratë të shtrenjtë, ajo e vinte atë në provë dhe njëkohësisht, të dërguarit e saj do të mblidhnin informacion të bollshëm lidhur me potencialin e tij ushtarak. Menjëherë, një delegacion i rëndësishëm dhe me plot dhurata të shtrenjta, nisen nga Jemeni për në Palestinë. Kur arritën tek Sulejmani a.s, ata i thanë:”Ne nuk duam të dorëzohemi para teje, megjithatë të kemi sjellë këto dhurata nga mbretëresha jonë.” Një sjellje e tillë e zemëroi Sulejmanin a.s i cili ua ktheu:”Kur erdhën (të deleguarit), Sulejmani tha: “A mos doni të më ndihmoni me pasuri?! Ajo që më ka dhënë Allahu, është më e mirë nga ajo që ju ka dhënë juve. Por ju gëzoheni me dhuratën tuaj. Kthehuni tek ata! Ne do të sjellim ushtri, të cilën nuk do të mund ta përballojnë ata dhe, me siguri, do t’i dëbojmë ata prej Shebës të poshtëruar dhe të përulur”. (Neml, 36-37)
Delegacioni u kthye sërish në Shebë, ku u takuan me mbretëreshën e tyre të cilës i thanë:”Nuk ia vlen t’i rezistojmë një mbreti të tillë.” Menjëherë, Belkisa i dërgoi një mesazh Sulejmanit a.s në të cilin i premtonte bindje.
Ndërkohë, Sulejmani a.s u thotë ushtarëve të tij “O parësi, kush prej jush do të më sjellë fronin e saj, para se ata të vijnë të dorëzuar?” Njëri nga xhindet – Ifriti -, tha: “Unë do të ta sjell ty para se të ngrihesh prej vendit; – nga kuvendi që zgjaste nga mëngjesi në drekë – unë për këtë jam i fuqishëm dhe i besueshëm”. Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. – dijetarët kanë mendime të ndryshme mbi këtë person të pajisur me dije të Librit. Disa mendojnë se ai ishte një hebre, i cili gëzonte dije të thella nga Teurati dhe dinte cili është emri më i madh i Zotit, i cili nëse përmendet në një lutje, ajo pranohet. Disa dijetarë të tjerë mendojnë se ky person që ishte pajisur me dije nga Libri, ishte vetë Xhibrili a.s. Por mendimi i parë është më i pranueshëm -Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.” (Neml, 38-40)
Sa ngrit dhe uli shikimin Sulejmani, froni i Belkisës gjendej para syve të tij. Sulejmani a.s e kuptoi se ky ishte një test për të parë nëse do të ishte mirënjohës për të mirat që i kishte dhënë Zoti. Pas kësaj, Sulejmani a.s i urdhëroi shërbëtorët që t’i bëjnë disa ndryshime fronit të Belkisës.
“Ndryshojeni edhe fronin e saj! Do të shohim se a do ta vërë re këtë apo jo.” Kur erdhi ajo, i thanë: “I tillë është froni yt?” – Përgjigja e saj ishte shumë e zgjuar, pasi nuk u përgjigj as pozitivisht dhe as negativisht. – Ajo u përgjigj:“Duket sikur të ishte ai”. Sulejmani tha:“Para saj na është dhënë dituria dhe para saj i jemi nënshtruar Allahut”. (Neml, 41-42)
Edhe pse iu nënshtrua Sulejmanit a.s, Belkisa nuk e pranoi fenë e tij, por vazhdoi në besimin e saj. Këtë e përmend Zoti i lartësuar në Kuran:”Atë (Belkisën) e kishte penguar (nga Islami) ajo që adhuronte në vend të Allahut, sepse ajo ishte nga populli mohues.” (Neml, 43)
Duke dashur që t’i tregojë mbi fuqinë dhe pushtetin e tij, Sulejmani a.s e dërgoi të vizitojë një nga sarajet e tij. Pallati që do të vizitonin nuk ishte ndërtuar nga njerëzit dhe linte pa gojë këdo që e vizitonte. I gjithë pallati ishte i ndërtuar prej kristali të pastër. Prej kristali ishte dhe shtresa ku vinin këmbët dhe poshtë tij rridhte ujë. Aq e hollë ishte shtresa që ndante ujin, saqë dukej sikur pallati është vendosur mbi ujë. Kur u afrua, Belkisa mendoi se është ujë, prandaj ngriti fustanin që të mos i lagej. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:”Asaj i thanë të hynte në pallat. Kur e pa atë, ajo kujtoi se ishte ujë i thellë dhe përvoli fustanin te këmbët. Sulejmani i tha: “Ky pallat është i shtruar me xhama”. Ajo tha: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!” (Neml, 44)
Vetëm atëherë ajo e kuptoi se Sulejmani a.s nuk ishte thjesht një mbret si gjithë mbretërit, por mbi të gjitha ishte profet i Zotit. Belkisa e pranoi fenë dhe besimin e Sulejmanit a.s dhe në disa transmetime thuhet se u martua me të.
Një ndër veprat më të mëdha të Sulejmanit a.s, është se rindërtoi xhaminë Aksa. Siç e kemi cekur më parë, ai që ndërtoi xhaminë Aksa ishte profeti Jakub a.s. Në një hadith, profeti Muhamed a.s u pyet se cila ishte xhamia e parë e ndërtuar në tokë. Profeti a.s u përgjigj:”Është Qabeja të cilën e ndërtoi Ibrahimi.” Pyetësi shtoi:”Po pas Qabesë?” Profeti a.s u përgjigj:”Xhamia Aksa.”
Pyetësi pyeti:”Sa vite kishte mes tyre?” Profeti a.s u përgjigj:”Dyzet vite.”
Gjatë eksodit të çifutëve nga Buhtensar, ky i fundit e rrënoi xhaminë Aksa. Kur Sulejmani a.s mori në dorë pushtetin, e rindërtoi xhaminë Aksa. Veç xhamisë, ai ndërtoi dhe tempullin që njihet si tempulli i Sulejmanit. Hebrenjtë ishin shumë të lidhur pas këtij tempulli, gjë të cilën e tregojnë dhe kërkimet dhe gërmimet e shumta që bëhen sot.
Mbi vlerën e xhamisë Aksa ekzistojnë shumë hadithe të profetit Muhamed a.s. Thotë Profeti a.s:”Në namaz në Qabe është i barasvlershëm me njëqind mijë namaze. Një namaz në xhaminë time (xhaminë e Profetit a.s në Medine) është i barasvlershëm me njëmijë namaze. Një namaz në xhaminë Aksa është i barazvlershëm me pesëqind namaze.”
Transmeton Abdullah ibnu Amr ibnul As se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”Pasi Sulejmani a.s ndërtoi xhaminë Aksa, i kërkoi Zotit tre privilegje. Por Zoti i lartësuar i dha vetëm dy dhe ne shpresojmë që të tretën Zoti ta ketë rezervuar për ne. Sulejmani i kërkoi Zotit aftësi të gjykojë me drejtësi ashtu siç gjykon vetë Zoti dhe Ai ia dha. Sulejmani i kërkoi pushtet që nuk e ka gëzuar dhe nuk do e gëzojë kush tjetër pas tij dhe Zoti ia dha. Sulejmani i kërkoi që çdo person që niset nga shtëpia e tij vetëm për t’u falur në xhaminë Aksa, i fshihen gjynahet si ditën kur e ka lindur nëna. Unë e lus Zotin që këtë privilegj ta ketë rezervuar për ne.” (Transmeton imam Ahmed, Ibnu Maxheh dhe Nesai)

Vdekja e Sulejmanit a.s
Edhe pse profeti Sulejman a.s posedonte pushtet, pasuri dhe ushtri që nuk i kishte pasur dhe nuk do i ketë kush pas tij, ai ishte njeri dhe do i nënshtrohej ligjit që i nënshtrohet çdo njeri tjetër, ligjit të vdekjes.
Në kohën e Sulejmanit a.s, njerëzit ishin sprovuar me fuqinë dhe potencialin e xhindeve. Me mënyrën si vdiq Sulejmani a.s, Zoti u tregoi se xhindet nuk kishin asgjë në dorë dhe nuk e dinin të fshehtën (gajbin) siç besonin shumë njerëz.
Një ditë, Sulejmani a.s i kishte nënshtruar dhe vënë në shërbimin e tij xhindet si asnjëherë tjetër. Ata punonin nën kontrollin e rreptë të Sulejmanit dhe i frikësoheshin si askujt tjetër. Ai kishte në dorë t’i ndëshkojë rreptë. Në këtë kohë, Sulejmani a.s kishte mbushur pesëdhjetë e dy vjeç. Të gjithë xhindet punonin të nënshtruar për llogari të Sulejmanit a.s. Puna që po kryenin ishte e rëndë dhe zgjati për disa ditë. Teksa i vëzhgonte gjatë punës, Sulejmani a.s mori bastunin e tij, vendosi sipër tij dy pëllëmbët dhe mbi to mbështeti kokën. Teksa i vështronte duke punuar, Zoti ia merr shpirtin Sulejmanit a.s. Sytë ai i kishte të hapur dhe nuk lëvizte nga vendi. Xhindet vazhdonin të punojnë pa ditur se ai kishte vdekur. Princi i kurorës që do të zinte vendin e Sulejmanit a.s, i shkon për t’i treguar diçka dhe e dallon që kishte vdekur. Megjithatë, nuk i tregoi askujt. Herë pas here, ai i afrohej pranë, bënte sikur i pëshpërit diçka në vesh dhe largohej. Kjo gjendje vazhdoi për një vit të tërë, ndërkohë që xhindet vazhdonin të punonin të nënshtruar. Ata çuditeshin si ishte e mundur që Sulejmani a.s, mbreti i tyre nuk kishte lëvizur nga vendi për një vit të tërë. Disa prej tyre pëshpëritnin me njëri-tjetrin mbi mundësinë e vdekjes së Sulejmanit, por kishin frikë të hetonin.
Pas një viti, krimbi i drurit e kishte dobësuar aq shumë bastunin e Sulejmanit a.s saqë një ditë u thye dhe Sulejmani a.s u rrëzua përtokë. Atëherë xhindet e kuptuan se ai kishte vdekur që një vit më parë. Po ashtu, njerëzit e kuptuan se xhindet nuk e dinë të fshehtën. Thotë Zoti në Kuran:”Kur Ne ia caktuam atij vdekjen, atyre nuk u dha shenjë askush për vdekjen e tij, pos krimbit të drurit. Dhe, kur u rrëzua (Sulejmani), u bë e qartë se, sikur ta dinin xhindet të padukshmen, nuk do të vijonin në dënimin e poshtëruar.” (Sebe, 14)

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.