Historia e profetit a.s me dijetarin hebre

Shoku i nderuar i Profetit Muhamed a.s, Abudullah ibn Selam r.a, tregon se kur Allahu udhëzoi në rrugën e drejtë Zaid ibn Sunah (dijetarin e famshëm hebre që jetonte në Medinë), Zaidi tha:

“I dallova të gjitha shenjat e profetësisë menjëherë sapo pashë fytyrën e Muhamedit, me përjashtim të dy shenjave që nuk mund të dalloheshin së jashtmi: Që vetëpërmbajtja e tij t’ia kalonte ngutjes, dhe se vetëpërmbajtja e tij do të forcohej me shtimin e agresivitetit.”
Zaid ibn Sunah e tregon historinë si më poshtë:

“Një ditë, I dërguari i Allahut, doli nga shtëpia e tij së bashku me Ali ibn Abi Talibin. Një beduin që po drejtonte devenë e tij iu afrua dhe i tha: O I dërguari i Allahut! Një grup nga njerëzit e mi (klani im) kanë pranuar të besojnë dhe kanë përqafuar islamin. Unë u thosha që nëse do të përqafonin Islamin, do të furnizoheshin me bollëk (si rrjedhojë e begative hyjnore).

Megjithatë, tani ata po përballen me uri, për shkak se nuk ka rënë shi. O I Dërguari i Allahut, kam frikë se ata do të largohen nga Islami për shkak të grykësisë së tyre, ashtu siç e pranuan po prej grykësisë. Nëse mundesh, dërgoju ndonjë ushqim aq sa t’ju mjaftojë.

Profeti a.s pa djalin që kishte përkrah, që besoj se ishte Aliu, dhe ai i tha:

“O I Dërguar i Allahut! Nuk na ka mbetur asgjë!

Zaidi vazhdon: “Iu afrova Profetit dhe i thashë: O Muhamed! Nëse ke dëshirë, m’i jep me qira disa kopshte me hurma për një periudhë të caktuar. Ai u përgjigj: Jo, por do të të jap me qira disa pemë hurme për një periudhë të përcaktuar, por pa specifikuar kopshtet.

Unë u përgjigja: “Në rregull!”

Pastaj ai m’i dha me qira. Unë hapa kuletën dhe nxorra 80 mithkal ari (rreth 350 gramë ar) që të paguaja hurmat e specifikuara për periudhën e rënë dakord. Profeti ia dha monedhat burrit në fjalë dhe i tha: “Ndihmoji ata me këto para dhe shpërndaji me drejtësi.”

Zaid ibn Sunah vijon tregimin e tij:

“Dy ose tre ditë përpara përfundimit të afatit të përcaktuar, Profeti a.s doli me Ebu Bekrin, Umerin dhe Othmanin për të kryer faljen e një xhenazeje. Pasi mbaroi faljen dhe iu afrua një muri për t’u mbështetur, unë shkova tek ai, e kapa nga këmisha dhe duke e parë vëngër i thashë: O Muhamed! Pse nuk i shlyen detyrimet e tua ndaj meje? Familja jote gjithmonë e vonon shlyerjen e borxheve. I njoh mirë njerëzit e tu!”

Ndërsa i fola kështu, hodha sytë nga Umeri që ishte skuqur nga zemërimi. Ai më pa ngultazi dhe më tha: “O armik i Allahut! E the vërtet atë që dëgjova kundër të Dërguarit të Allahut? Ia bëre vërtet atë që sapo pashë? Pasha atë në duart e të cili është shpirti im, nëse nuk do të shqetësohesha se Profeti nuk do të ma falte, do të ta kisha prerë kokën me shpatën time.”

I dërguari i Allahut që po më shikonte me durim dhe qetësi më tha:

“Umer! Kjo nuk është e nevojshme! Më nevojitej më shumë këshilla jote që t’i paguaja sa më parë borxhin, dhe që të reagoja me mirësjellje. Umer, shko me të dhe shlyeja borxhi. Jepi edhe 20 saa (44 kg) hurma më tepër (nga sasia që i detyrohem), sepse e frikësove.”

Umeri më shoqëroi, më shleu borxhin dhe më dha 20 saa më tepër me hurma. Unë e pyeta pse po më jepte më tepër dhe ai u përgjigj, “I dërguari i Allahut më udhëroi të të jepja më tepër sepse të tremba.”

Unë e pyeta: A më njeh mua Umer? Jo, – tha ai. Unë jam Zaid ibn Sunah, – i thashë. Dijetari i hebrenjve.

Po, qenka pikërisht ti. – më tha.

Atëherë ç’të shtyu t’i flisje Profetit a.s në atë mënyrë? – pyeti ai?

Oh, Omer! – iu përgjigja.

“I njoha të gjitha shenjat e profetësisë sapo pashë fytyrën e Muhamedit, me përjashtim të dy shenjave që nuk ishin menjëherë të dallueshme: Që vetëpërmbajtja do t’ia kalonte ngutjes së tij, dhe që vetëpërmbajtja e tij do të shtohej kur agresiviteti kundër tij po ashtu do të shtohej. Tani i vërtetova edhe këto dy shenja.

Ji dëshmitar për mua, O Umer! E pranoj Allahun si Zotin tim, islamin si fenë time, dhe Muhamedin si profetin tim. Dëshmo gjithashtu që ia dhuroj gjysmën e pasurisë time – që nuk është e pakët – umetit të Profeti Muhamed a.s.

Umeri tha: Ndoshta një pjese të umetit, sepse s’mund të mjaftojë për të gjithë.

Në rregull! – u përgjigja. Një pjese të umetit.

Umeri dhe Zaidi u kthyen tek I dërguari i Allahut dhe Zaidi deklaroi publikisht: Pranoj se askush nuk meriton të adhurohet përveç Allahut, dëshmoj se Muhamedi është i dërguari i Tij dhe i besoj atij.

Zeidi dëshmoi vërtetësinë e mesazhit të Profetit a.s dhe i dha besën atij. Ai mori pjesë në shumë beteja përkrah Profetit a.s derisa ra dëshmor në betejën e Tebukut në përballje e sipër me armikun.

Allahu qoftë i kënaqur me të!

Historia transmetohet nga Tabarani (al-Mu’jam al-Kabeer) për të cilin al-Haithami thotë se të gjithë përcjellësit e ngjarjes janë të besueshëm. Mes të tjerësh transmetohet edhe nga Ibn Majah, Ibn Hibbani dhe Hakimi.

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: