Historia e Ibrahimit a.s (pjesa 1)

Pas vdekjes së Salihut a.s dhe me kalimin e viteve, idhujtaria filloi të përhapej sërish mes njerëzve. Shejtani e realizoi premtimin e tij edhe një herë në Palestinë, Gadishullin Arabik, Irak, Egjipt etj…
Me këtë rast, Zoti i lartësuar dërgon një nga profetët më të shquar, një nga pesë profetët e vendosur, babanë e profetëve, Ibrahimin a.s. Emri dhe gjenealogjia e tij ishte Ibrahim biri i Tarih. Nofka e të atit ishte Azer, për shkak se u vinte në ndihmë njerëzve të popullit të tij.
Historia e Ibrahimit a.s ceket në Kuranin fisnik në shtatëdhjetë e tre vende, gjë e cila është tregues i madhështisë së këtij Profeti dhe rëndësisë së historisë së tij. Ibrahimi a.s është nga pasardhësit e Sam-it, djalit të Nuhut a.s. Ibrahimi a.s lindi dhe u rrit në veri të Irakut, në qytetin Babiloni. Ky qytet ishte selia e civilizimit të asaj kohe dhe banorët e tij ishin idhujtarë. Thotë Zoti në Kuran:
“Dhe ai tha: “Ju, në vend të Allahut, keni zgjedhur idhujt, për shkak të dashurisë midis jush në këtë jetë.”(Ankebut, 25)
Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Enbija, 52-53)
“Tregoju atyre historinë e Ibrahimit, kur i tha babait të vet dhe popullit të vet: “Çfarë adhuroni ju? Ata u përgjigjën: “Adhurojmë idhujt e përherë u jemi përkushtuar atyre”. Ai i pyeti: “A ju dëgjojnë ata kur ju luteni? A mund t’ju sjellin dobi apo dëm?” U përgjigjën: “Jo, por i kemi gjetur të parët tanë që vepronin kështu.” (Shuara, 69)
Ata vetë e pranonin se ishte një rit që e kishin trashëguar nga të parët e tyre. Me pyetjet e tij, Ibrahimi a.s synonte stimulimin e tyre për të menduar dhe logjikuar mbi adhurimin e idhujve të tyre. Njeriu e adhuron Zotin, me qëllim që kur të ketë nevojë ta lusë dhe Ai t’i përgjigjet. Ai e adhuron Zotin, me qëllim që ta udhëzojë në jetë dhe ta ndihmojë të jetojë konform natyrës dhe ligjeve të Zotit. Megjithatë, këta njerëz e kishin kyçur arsyen e tyre dhe nuk ishin racionalë në këtë çështje.
Vetë Ibrahimi a.s kurrë nuk i kishte adhuruar idhujt e popullit të tij. Këtë e konfirmon vetë Zoti në Kuranin fisnik, ku thotë:”Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë).” (Enbija, 51)
Ai e filloi përmbushjen e mesazhit të tij me babanë. Thotë Zoti:”Trego në Libër për Ibrahimin! Ai ishte njeri i së vërtetës dhe profet. Ai i tha të atit: “O babai im, përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh e as që mund të të sjellë ndonjë dobi? O babai im, mua më ka ardhur prej diturisë, çfarë s’të ka ardhur ty; andaj ndiqmë mua dhe unë do të të udhëzoj në rrugën e drejtë! O babai im, mos adhuro djallin, sepse ai është gjithmonë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O babai im, unë kam frikë se mos të vjen ndonjë dënim nga i Gjithëmëshirshmi e kështu të bëhesh i afërm i djallit!” (Merjem, 41-45)
Përgjigja e babait të Ibrahimit a.s ishte:”Ai u përgjigj: “O Ibrahim! Si guxon t’i hedhësh poshtë zotat e mi?! Nëse nuk heq dorë, unë do të të mbys me gurë; andaj, largohu prej meje për një kohë të gjatë”! (Merjem, 46)
Ibrahimi a.s, me butësinë që e karakterizonte, i tha:”Ibrahimi tha: “Shpëtimi qoftë mbi ty! Do t’i lutem Zotit tim që të të falë. Me të vërtetë, Ai është i mirë me mua.” (Merjem, 47)
Edhe pse mori një përgjigje të vrazhdë, Ibrahimi a.s u lut për falje, paqe dhe shpëtim për të atin. Por kur kuptoi se lutja për jobesimtarët është e ndaluar, u distancua përfundimisht.
“Ndërsa lutja e Ibrahimit për faljen e babait të tij, ka qenë vetëm për shkak të një premtimi, që i kishte bërë. Por, kur iu bë e qartë se i ati ishte armik i Allahut, ai u nda prej tij. E megjithatë, Ibrahimi ishte njeri i dhembshur dhe i butë.” (Teube, 114)
Nuk i lejohet një myslimani që të lutet për një jobesimtar të vdekur, që Zoti ta falë dhe ta mëshirojë.
Duke qenë se Zoti e kishte nderuar Ibrahimin a.s, ai njihej me nofkën “Miku i Zotit”. Kjo, pasi zemra e Ibrahimit a.s ishte e mbushur me dashurinë për Zotin e lartësuar.
“Po largohem nga ju dhe nga gjithçka që ju adhuroni në vend të Allahut. Do t’i lutem Zotin tim, sepse jam i sigurt se nuk do të jem fatkeq me lutjet që ia bëj Zotit tim.”  (Merjem, 48)

Thyerja e idhujve
Në këtë kohë, Ibrahimi a.s ishte akoma i njomë dhe i ri, tek të gjashtëmbëdhjetat. Megjithatë, ai ishte profet i nderuar dhe i ftonte njerëzit në besimin dhe adhurimin e një Zoti të vetëm. Gjatë gjithë kohës, ai mendonte se çfarë mund të bënte që njerëzit të ndërgjegjësoheshin dhe t’i ktheheshin Zotit. Një nga mendimet e shumta, ishte ç’rrënjosja e të keqes e cila simbolizohej tek idhujt. Ai filloi t’i deklarojë idetë dhe planet e tij edhe me njerëzit e tjerë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me këtë:”(Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!”(Enbija, 57) Lidhur me këtë ajet, disa interpretues të Kuranit, mendojnë se Ibrahimi a.s e tha diçka të tillë fshehtazi dhe jo haptazi. Por në fakt, vetë ajeti i mëposhtëm e hedh poshtë këtë mendim. Vetë njerëzit, duke parë idhujt e thyer, thanë:”Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej Ibrahim.”(Enbija, 60)
Ibrahimi a.s priste një ditë, ku tempulli ku ndodheshin idhujt të mos kishte asnjë njeri. Tempulli gjatë gjithë kohës gumëzhinte nga njerëzit të cilët hynin e dilnin. Përveç ritualeve, njerëzit vendosnin ushqime të ndryshme tek idhujt, me qëllim që zotat e tyre ta bekonin këtë ushqim.
Dita e shumëpritur erdhi për Ibrahimin a.s. Babilonasit, kishin një ditë të shënuar feste, ku të gjithë dilnin dhe festonin jashtë qytetit. Pasi e linin ushqimin në mëngjes tek idhujt që ta bekojnë, ata dilnin jashtë ku festonin dhe dëfreheshin. Në fund të ditës, njerëzit ktheheshin në tempull për të marrë ushqimin e bekuar dhe për ta ngrënë.
Ndërkohë që të gjithë njerëzit bëheshin gati dhe dilnin për të festuar, Ibrahimi a.s qëndronte ulur dhe nuk fliste. Kur e panë që nuk ka ndërmend të dalë, e pyetën se çfarë kishte. Ai u tha:”Kam parë yjet dhe zbulova se sot do të jem i sëmurë. Prandaj nuk do të vij me ju për të festuar.”Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: “Unë jam i sëmurë”. (Saffat, 88-89)
Thotë Profeti a.s:”Ai gënjeu, por për hatër të Zotit.”
Thotë Zoti në Kuran:”Në të vërtetë, Ne e udhëzuam Ibrahimin në rrugë të drejtë qysh më parë dhe e njihnim atë (se ishte i aftë për këtë gjë). Kur ai i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”, ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.” Ata thanë: “A po na sjell të Vërtetën apo je nga ata që tallen?” i tha: “Jo, por Zoti juaj është Zoti i qiejve dhe i Tokës. Është Ai që i ka krijuar ato, ndërsa unë jam njëri prej atyre që e dëshmojnë këtë.  (Betohem) për Allahun, se do t’i flak idhujt tuaj, posa të largoheni ju!” Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.” (Enbija, 51-58)
“Pastaj u hodhi një shikim yjeve e tha: “Unë jam i sëmurë”. Ata u larguan prej tij, duke e lënë pas. Pastaj, ai u përvodh te hyjnitë e tyre dhe u tha: “A nuk po hani? Ç’keni, përse nuk flisni?” – Juve u kanë ofruar gjithë këtë ushqim këtu, përse nuk e hani? Përse nuk flisni? – Iu afrua atyre kalimthi, duke i goditur me dorën e djathtë.” (Saffat, 88-93)
Në një ajet tjetër, Zoti thotë:”Dhe i bëri ata copa-copa, përveç idhullit të tyre më të madh, kështu që ata t’i drejtoheshin atij.” (Enbija, 58)
Ibrahimi a.s i theu idhujt, përveç idhullit më të madh, të cilit i vari në qafë kazmën me të cilën i theu të tjerët. Kur u kthyen njerëzit nga festa dhe hynë në tempull, mbetën gojëhapur. Zotat e tyre ishin thyer copë-copë.
“Disa thanë: “Kush i bëri kështu zotat tanë? Me të vërtetë, ai është keqbërës!”  Disa që e kishin dëgjuar Ibrahimin a.s ndërhynë menjëherë dhe thanë:”Të tjerët u përgjigjën: “Dëgjuam një djalosh që i përgojonte, quhej brahim.” “Atëherë silleni atë para syve të botës, që ata të dëshmojnë” – thanë ata.” (Enbija, 59-61)
Menjëherë e sollën Ibrahimin a.s dhe u caktua një ditë për ta gjykuar para gjithë njerëzve. Ditën e gjyqit dhe pasi kishin ardhur njerëzit, e pyetën:
“Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?” Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!” (Enbija, 62-63)
Përderisa zoti juaj më i madh e ka kazmën në qafë, përse nuk e pyesni atë që t’ua tregojë?!
“Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” (Enbija, 64)
Edhe pse logjika dhe arsyeja ishte në anën e Ibrahimit a.s, ata nuk i besuan.
Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin! Ai u tha: “Mos vallë, ju adhuroni në vend të Allahut gjëra që nuk mund t’ju sjelljn kurrfarë dobie e as dëmi?! Mjerë ju dhe mjerë ata që ju i adhuroni në vend të Allahut! A nuk arsyetoni?!”(Enbija, 65-67)
“Ai u tha: “Vallë, ju adhuroni ato që i keni gdhendur vetë, ndërkohë që Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni?!” (Safat, 95-96)
E çfarë argumenti dhe fakti më të madh se t’i shihnin zotat të copëtuar dhe të thyer, mund të kërkonin?!

Hidheni në zjarrin flakërues
Por ata jo vetëm që nuk i besuan, por morrin vendim që ta djegin Ibrahimin a.s në zjarr. Thotë Zoti në Kuran:Ata thanë: “Përgatitni për të një furrë dhe hidheni në zjarrin flakërues!” (Safat, 97)
Ata caktuan një vend në shkretëtirë, ndërtuan një ndërtesë të madhe me gurë dhe u kërkuan të gjithë njerëzve të kontribuonin për ta mbushur me dru dhe shkarpa. Të gjithë njerëzit, burra e gra, të rritur dhe fëmijë, filluan të sjellin dru dhe gjithçka që mund të digjej, derisa e mbushën ndërtesën. Mandej, ata i vunë zjarrin turrës gjigande të druve. Kur gjithçka ishte gati, sollën dhe katapultat që ta hedhin Ibrahimin a.s në zjarrin përvëlues. Gjatë gjithë kësaj kohe, Ibrahimi a.s përsëriste me vete lutjen e atij që gjendet ngushtë dhe në pikë të hallit. Transmeton imam Buhariu se Profeti a.s ka thënë:”Hasbunallahu ve ni’mel veqil (na mjafton Allahu që është Garantuesi më i mirë), e ka thënë Ibrahimi a.s para se të hidhej në zjarr.”
Në disa transmetime të pakonfirmuara, thuhet se kur Ibrahimin a.s e hodhën me katapultë, para se të mbërrijë tek zjarri, i erdhi Xhibrili a.s dhe i tha:”O Ibrahim, a ke ndonjë nevojë?” Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Për ty nuk kam nevojë, por për Zotin kam.”
Në një transmetim, thuhet se meleku i shiut, i kërkoi Zotit leje që të lëshojë shi për ta shuar zjarrin e Ibrahimit a.s. Por urdhri i Zotit a.s dhe vendimi i Tij ishin më të shpejtë.
“Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin! Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.” (Enbija, 69)
Ibrahimi a.s ra në mes të zjarrit, i cili me urdhrin e Zotit u kthye i ftohtë dhe shpëtues për Ibrahimin a.s. Thotë Abdullah ibnu Abasi:”Nëse Zoti nuk do e kishte urdhëruar zjarrin të jetë dhe shpëtues për Ibrahimin, ai do e kishte lënduar i ftohti.”
Zjarri nuk djeg veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç nuk pret thika veçse me urdhër të Tij. Forca dhe efekti i këtyre krijesave nuk buron nga vetja e tyre, por nga aftësia me të cilën i ka pajisur Zoti i lartësuar. Është Ai që ua jep këtë aftësi dhe është Ai që ua heq kur të dojë.
Në zjarr, Ibrahimit a.s nuk iu dogjën as rrobat e trupit. Gjëja e vetme që iu dogj, ishte litari me të cilin e kishin lidhur. I pa të meta është Zoti i lartësuar dhe i gjithëpushtetshëm.
Njerëzit pritën me padurim të shuhej zjarri, që të shohin se çfarë ka ngjarë me Ibrahimin a.s. Ata mbetën gojëhapur kur dalluan Ibrahimin a.s të padëmtuar nga zjarri. Jo vetëm kaq, por vetë Ibrahimi a.s kur u pyet se cilat kanë qenë ditët më të lumtura të jetë, është përgjigjur:”Nuk kam kaluar ditë më të lumtura sesa ditët që kalova në zjarr.”
Njerëzit e panë me sytë e tyre Ibrahimin a.s duke dalë nga zjarri, i pa lënduar prej tij. E çfarë mrekullie më të madhe prisnin që të besojnë?! Megjithatë, ata përsëri nuk besuan, por vazhduan në idhujtarinë e tyre. Nga të gjithë banorët e Babilonisë, i vetmi që besoi në Ibrahimin a.s, ishte Luti a.s. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:”Luti i besoi atij..” (Ankebut, 26)

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: