Historia e Ibrahimit a.s (pjesa 2)

Ibrahimi a.s përballë Nemrudit
Duke parë refuzimin e banorëve të Babilonisë, Ibrahimi a.s vendosi ta lërë qytetin e tij. Ndërkohë, mbreti Nemrud, për të cilin thuhet se kishte nën hyqmin e tij gjithë botën asokohe, kishte dëgjuar për një djalosh që e kishin hedhur në zjarr dhe nuk ishte djegur. Ai kishte dërguar ushtarët që ta gjejnë dhe t’ia sjellin Ibrahimin a.s. Ushtarët e gjetën dhe e dërguan Ibrahimin a.s para Nemrudit. Në një transmetim, thuhet se mbretërit që kanë pasur gjithë tokën nën hyqmin e tyre kanë qenë katër, ku ndër ta, ka qenë dhe Nemrudi. Ai filloi ta pyesë Ibrahimin a.s mbi besimin dhe Zotin e tij. Biseda e zhvilluar mes Nemrudit dhe Ibrahimit a.s është shënuar dhe në Kuran. Thotë Zoti në suren Bekare:”A nuk ke dëgjuar ti (Muhamed) për atë që bëri fjalë me Ibrahimin për Zotin e tij, sepse Allahu i kishte dhënë pushtet? Kur Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe shkakton vdekje” – ai (Nemrudi) u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. – për të vërtetuar se edhe ai jep dhe merr jetë, Nemrudi solli dy të burgosur, njërin e ekzekutoi në çast, kurse tjetrin e liroi –  Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (Bekare, 258)
Duke e ditur se Ibrahimi a.s kishte shpëtuar nga zjarri, Nemrudi nuk u soll keq me të dhe e la të lirë të largohej.

Ibrahimi a.s në Sham (Lanton)
Pas këtij takimi me Nemrudin, Ibrahimi a.s niset për në Sham (Lanton). Ai u vendos në qytetin Haran, ku edhe u martua me Sarën. Thotë profeti Muhamed a.s:”Përveç Havasë, nuk është krijuar grua më e bukur se Sara mbi faqen e tokës.”
Siç e cekëm më lart, i vetmi që i besoi Ibrahimit a.s, ishte Luti. Thotë Zoti i lartësuar:”Luti i besoi atij dhe tha: “Unë do të mërgoj te Zoti im; me të vërtetë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ankebut, 26)
Të dy, larguan nga Iraku dhe u vendosën në Sham. “Ne e shpëtuam atë dhe Lutin (dhe i çuam) në tokën, të cilën e kemi bekuar për njerëzit.” (Enbija, 71)
Në Haran ku u vendosën, njerëzit adhuronin idhujt. Ibrahimi a.s vendosi një plan, sipas të cilit do i ndërgjegjësonte njerëzit se adhurimi i idhujve është diçka e kotë dhe e pavlerë. Një natë, edhe Ibrahimi a.s doli bashkë me njerëzit në vendin ku adhuronin yjet.
Dhe kështu, Ne ia treguam Ibrahimit mbretërinë e qiejve dhe të Tokës, që ai të bëhej nga ata që besojnë vendosmërisht.” (En’am, 75)
Zoti ia bëri të mundur të sodisë në brendësi të qiejve dhe të tokës. Ai pa ato që sot nuk i shohin dot as me teleskopët më të fuqishëm. Një njeri që sheh mbretërinë e qiejve dhe të tokës, padyshim që do të adhurojë vetëm Zotin e lartësuar, duke u distancuar nga çdo idhulli tjetër. E themi këtë pasi disa komentues të Kuranit, janë shprehur se Ibrahimi a.s adhuroi idhujt bashkë me njerëzit e tjerë dhe më pas Zoti e udhëzoi në monoteizëm. Kjo është një gafë e madhe dhe e pafalshme. E si mund të pretendosh se një profet i Zotit adhuron yjet?! Si mund të ndodhë kjo, pasi ai kishte parë mbretërinë e qiejve dhe të tokës?!
Ibrahimi a.s doli natën bashkë me njerëzit, jo për të adhuruar yjet si ata, por për t’i ndërgjegjësuar mbi këtë veprim.
“Kur ra nata, ai pa një yll dhe tha: “Ky është Zoti im!” Por, kur perëndoi ylli, ai tha: “Nuk i dua ata që perëndojnë”. (En’am, 76)
Thuhet se ky planet ishte Afërdita, planeti më i afërt me tokën. Ai shkëlqen natën dhe mund të shihet dhe me sy. Afërdita është planet dhe jo yll, por populli i Haranit e kishin marrë për yll. Kur u shfaq Afërdita, Ibrahimi a.s tha me zë të lartë:”Ky është zoti im.” Me largimin e natës dhe fillimin e agimit, drita e Afërditës filloi të dobësohej derisa u zhduk përfundimisht. Ibrahimi a.s e pasoi këtë me pyetje të tjera, që t’i dëgjojnë njerëzit:”Ku vajti zoti im?! ç’qenka ky zot që zhduket?! Unë kam nevojë për të tani. Një zot të tillë unë nuk e dua.”
Ibrahimi a.s doli sërish natën e dytë dhe këtë herë piketoi hënën si gjoja zotin dhe idhullin e tij.
Kur pa Hënën duke lindur, tha: “Ky është Zoti im!” Por, pasi ajo perëndoi, ai tha: “Nëse Zoti im nuk më udhëzon në rrugën e mbarë, me siguri do të bëhem njëri nga të humburit”. (En’am, 76)
O Zot më drejto në rrugë të drejtë, që të besoj dhe adhuroj vetëm Ty. Të gjitha këto dëgjoheshin nga njerëzit e tjerë. Kur në mëngjes lindi dielli, Ibrahimi a.s bëri gjoja sikur ka diellin zot dhe idhull të tij, pasi ai ishte më i madhi.
“Kur vërejti Diellin duke lindur, ai thërriti: “Ky është Zoti im, ky është më i madhi!” Por, pasi dielli perëndoi, ai tha: “O populli im, unë jam larg nga idhujt që ju ia shoqëroni Allahut në adhurim! Unë e kthej fytyrën time nga Ai që i ka krijuar qiejt dhe Tokën, duke qenë besimtar i vërtetë, dhe nuk jam nga idhujtarët”! (En’am, 78-79)
Megjithatë, kishte njerëz të cilët filluan të polemizojnë dhe ta kundërshtojnë Ibrahimin a.s për ato që po thoshte. Por ai u përgjigj
“Dhe, kur populli i tij polemizoi me të, ai tha: “Doni të polemizoni me mua për Allahun, ndërkohë që Ai më ka udhëzuar në rrugën e drejtë?! Unë nuk i kam frikë idhujt tuaj, sepse vetëm po të dojë Zoti im, ato mund të më lëndojnë. Zoti im, me dijeninë e vet ka përfshirë çdo gjë. A nuk po mendoni?” (En’am, 80-81)
Njerëzit filluan ta kërcënojnë dhe t’i fusin frikën se idhujt dhe zotat e tyre do e lëndonin, për ato fjalë që thoshte.
“E si të frikësohem nga zotat tuaj të rremë, ndërkohë që ju nuk keni frikë t’i shoqëroni Allahut idhuj, për të cilët Ai nuk ju ka  zbritur kurrfarë argumenti?! Cili nga ne e meriton të jetë i sigurt? Më thoni, nëse njihni të vërtetën! Sa për ata që besojnë dhe nuk e molepsin besimin e tyre me  padrejtësi (idhujtari), pikërisht atyre u takon siguria dhe ata janë të udhëzuar.” Ky është argumenti Ynë, të cilin Ne ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë kë të duam në shkallë të lartë. Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëdijshëm.”(En’am, 82-83)

Ibrahimi a.s në Egjipt
Duke qenë se njerëzit refuzuan sërish të besojnë në një Zot të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm, Ibrahimi a.s vendosi të emigrojë sërish. Këtë herë, ai do të niset për në Egjipt.
Me të mbërritur në Egjipt, mbretit i shkon haberi se në mbretërinë e tij sapo ka shkelur e bukura e dheut. Menjëherë, ai dërgoi ushtarët që t’ia sjellin këtë grua. Ai i porositi ushtarët që nëse burri që e shoqëron është i shoqi, ta vrasin. Zoti i tregoi Ibrahimit a.s për këtë kurth. Ibrahimi a.s e porositi Sarën dhe i tha:”Nëse ushtarët që do të vijnë të pyesin se kush është ky burrë, për mua, u thuaj që jam vëllai yt. Për Zotin nuk ka njerëz të tjerë besimtarë mbi këtë tokë, përveç meje dhe teje.”
Kur mbërritën ushtarët e mbretit, e pyetën Ibrahimin a.s:”çfarë e ke këtë grua?” Ai u përgjigj:”Ajo është motra ime.” Thotë profeti Muhamed a.s:”Në kët rast, Ibrahimi a.s gënjeu.”
Dijetarët i kanë grumbulluar gënjeshtrat e ibrahimit a.s, të cilat janë:
1 – Kur u shtir si i sëmurë ditën e festës, me qëllim që t’i copëtojë idhujt.
2 – Kur u tha babilonasve se idhujt i kishte thyer më i madhi prej tyre.
3 – Kur u tha ushtarëve se Sara ishte motra dhe jo gruaja e tij.
Të tre rastet, ishin në një kontekst të caktuar dhe mund të interpretoheshin. Megjithatë, ai ndihet i pezmatuar për këto tre gënjeshtra. Kur Ditën e Kiametit njerëzit të shkojnë tek Ibrahimi a.s t’i kërkojnë të ndërmjetësojë tek Zoti që të fillojë llogari, ai do u përgjigjet:”Jo, unë kam gënjyer tre herë dhe më vjen zor nga Zoti.” Ndërkohë që njerëzit sot gënjejnë dhe mashtrojnë pa iu frikësuar aspak Zotit.
Ushtarët e çuan Sarën tek mbreti. Gjatë rrugës, ajo filloi të lutej:”O Zot, nëse e di që të kam besuar Ty dhe të dërguarit të Tënd, e kam ruajtur nderin tim dhe të burrit, më mbro nga ky qafir!”
Kur mbreti i veçua në një dhmë me Sarën, zgjati dorën ta prekë, por në çast dora i paralizohet dhe i ngrin në vend. Ai filloi të ulërijë dhe bërtasë, gjë e cila bëri që ushtarët dhe njerëzit të hyjnë menjëherë në dhomë. Duke u frikësuar se mos i bëjnë keq, Sara e luti Zotin që ta shërojë dhe u shërua. Megjithatë, mbreti nuk zuri mend. Ai kujtoi se qe diçka momentale dhe e papritur dhe menjëherë zgjati dorën ta prekë, për sërish dora iu ngri në ajër. I gjendur në këtë situatë, mbreti i tha:”Më lësho!” Sara e luti Zotin dhe dora iu kthye siç e kishte më parë. Megjithatë sërish nuk zuri mend dhe zgjati dorën ta prekë, por edhe këtë herë iu ngri. I frikësuar, i tha:”Më lësho se do të fal lirinë.” Sara e luti Zotin dhe dora iu shërua. Ai thirri këshilltarët dhe u tha:”Ma hiqni qafe këtë grua. Për Zotin nuk më keni sjellë njeri, por shejtan.”
Mbreti i dha shumë dhurata me vete Sarës para se të ikte nga pallati. Ndër të tjera, ai i dha dhe një skllave, me emrin Haxhere. Kur Sara u kthye tek i shoqi Ibrahimi a.s, e gjeti duke u falur. Pasi përfundoi faljen, Ibrahimi a.s e pyeti:”Çfarë ndodhi?” Sara iu përgjigj:”Zoti nuk e lejoi të bëjë ç’të dojë atë qafir.” Ibrahimi tha:”Të falënderoj o Zot.”

Ibrahimit a.s i lind Ismaili
Pas kësaj ngjarjeje, Ibrahimi a.s mori rrugën e kthimit për në Palestinë bashkë me familjen. Në Palestinë, Ibrahimit a.s iu bashkëngjit dhe profeti Lut a.s. Pas një farë kohe, Ibrahimi a.s i kërkoi Lutit a.s të shkojë në fshatin Sedom dhe t’i ftojë në besim dhe moralitet. Njerëzit e këtij fshati ishin shumë të shthurur moralisht, por më shumë rreth këtyre njerëzve do të flasim në historinë që i përket profetit Lut a.s. Luti a.s vajti në Sedom, kurse Ibrahimi a.s, gruaja e tij Sara dhe skllavja Haxhere qëndruan në Palestinë. Përveç misionit si profet dhe i dërguar i Zotit, Ibrahimi a.s u morr dhe me tregti gjatë qëndrimit në Palestinë. Madje, mund të themi se ishte një ndër tregtarët e suksesshëm dhe të pasur.
Kur Ibrahimi a.s kishte mbushur moshën tetëdhjetë e pesë vjeçare, e shoqja e tij Sara, u sigurua tashmë se nuk mund t’i jepte të shoqit fëmijë. Duke e ditur se i shoqi e dëshironte shumë një fëmijë, Sara i dhuroi Ibrahimit a.s skllaven e saj, Haxheren. Me ta marrë Ibrahimi a.s, u martua me të dhe i lindi djalin e tij Ismailin a.s. Në këtë kohë, Ibrahimi a.s ishte tetëdhjetë e gjashtë vjeç. Por një ndodhi e tillë ndezi zjarrin e xhelozisë tek Sara. Edhe pse ishte ajo që ia dhuroi Haxheren Ibrahimit a.s, nuk e përballoi dot faktin që Haxhereja i dha fëmijë kurse ajo vetë jo. Për këtë, ajo i kërkoi Ibrahimit a.s që Haxheren ta largojë në një vend tjetër. Në shumë rrëfenja, thuhet se Sara tentoi disa herë t’i bëjë keq Haxheres, por këto rrëfenja nuk janë vërtetuar dhe nuk janë të sakta. Ajo që është konfirmuar nga profeti Muhamed a.s, është vetëm çështja e xhelozisë. Transmeton imam Buhariu se i profeti Muhamed a.s ka thënë:”…Haxhereja vishte rroba të gjata, me qëllim që gjurmët t’i mbuloheshin që mos i shohë Sara.”
Me gjithë besimin dhe vlerat e Sarës, xhelozia mbetet diçka e pandashme nga femrat. Një fakt të tillë e konstatojmë edhe tek gratë e profetit Muhamed a.s. Prandaj, burrat duhet të jenë të kujdesshëm dhe ta marrin në konsideratë aspektin emocional të grave të tyre. Edhe Ibrahimi a.s i mori në konsideratë ndjenjat e gruas së tij të parë Sarës dhe e ndau Haxheren prej saj. Më vonë, Ibrahimi a.s urdhërohet që të marrë Haxheren dhe foshnjën e tyre dhe t’i çojë në Meke. Si çdo urdhër tjetër, Ibrahimi a.s e vlerësoi dhe menjëherë u nis bashkë me të shoqen, Haxheren dhe Ismailin foshnje. Të gjithë udhëtimet e Ibrahimit a.s bëheshin me anë të Burakut, kafshë që përdorej nga profetët në udhëtime. Me Burak udhëtimi kryhej kur Ibrahimi a.s udhëtonte vetëm. Ndërkohë që kur udhëtonte me familjarët dhe njerëzit e tjerë, nuk e përdorte Burakun. Vizitat e mëvonshme që i bën Ismailit a.s, ai i bënte me Burak.

Ibrahimi a.s, bashkë me familjen në Meke
Udhëtimi për në Meke padyshim ishte i lodhshëm. Kur arritën atje, Haxhereja u gjende para një lugine të shkretë, pa njerëz, pa banesa, pa bimë, pa ujë dhe pa asgjë tjetër. Në këtë luginë të thatë, Ibrahimi a.s e la gruan e tij Haxheren dhe djalin e tij të vetëm, Ismailin a.s. Haxhereja u çudit nga ky veprim i Ibrahimit a.s, ajo kishte menduar se do i lërë në një vend ku të paktën të kishte njerëz dhe ujë. E si mund të jetonin ata në atë vend të shkretë?
Kur pa që i shoqi u ktheu shpinën dhe mori rrugën e kthimit, Haxhereja iu vu pas dhe e pyeti:”O Ibrahim! Në dorë të kujt po na lë këtu?! As ujë, as ushqim dhe as njerëz!” Ibrahimi a.s vazhdoi rrugën pa i kthyer përgjigje dhe pa u kthyer as që ta shohë. Haxhereja e ndiqte nga pas duke e lutur dhe duke iu përgjëruar, por Ibrahimi a.s as që i kthente përgjigje. Duke parë që i shoqi dukej sikur nuk shqetësohej, Haxhereja e pyeti përfundimisht:”A Zoti të ka urdhëruar për diçka të tillë?!” Ibrahimi a.s iu përgjigj:”Po.” Atëherë, Haxhereja thotë një fjalë e cila është mësim për burrat para se të jetë për gratë. Ajo i thotë:”Nuk kemi për të vdekur atëherë.”
Përderisa njeriu u përmbahet dispozitave dhe normave hyjnore, nuk ka për të shkuar dëm asnjëherë. Mos iu frikëso fukarallëkut, përderisa beson se rizku është në duart e Zotit! Kurrë mos gënje, pasi vetëm duke thënë të vërtetën realizon objektivat! Kurrë mos prano haramin, pasi ai largon bereqetin! Kur burri dilte nga shtëpia për në punë, gruaja myslimane i thoshte:”O rob i Zotit! Frikësohu Zotit, pasi ne mund ta durojmë urinë, por e kemi të pamundur të durojmë zjarrin! Prandaj, mos na sill në shtëpi haram!”
Ibrahimi a.s u largua përfundimisht, duke e lënë të shoqen dhe djalin në atë luginë të thatë, pa ushqim dhe pa ujë. Pasi Haxheres i përfunduan rezervat e fundit të ushqimit dhe ujit që kishte marrë me vete, djali filloi të qajë nga etja dhe uria. Është diçka shumë e rëndë për nënën, të dëgjojë foshnjën të qaja nga uria dhe të mos ketë çfarë ti japë. Ajo e la foshnje dhe u ngjit me vrap mbi një kodër aty pranë (safa). Me tu ngjitur lart, mbajti frymën me shpresë se mos dëgjon ndonjë zë. Kur i humbi shpresat, zbriti poshtë në luginë dhe vazhdoi vrapin derisa u ngjit në kodrën përballë (Merva). Me t’u ngjitur sipër, i ra rreth e rrotull me shpresë se mos dëgjon ose dallon ndonjë shenjë jete, por shumë shpejt i humbi shpresat edhe këtu. Duke kërkuar, i vajti mendja tek djali dhe mendoi se e kishte lënë të vetëm. Kështu, zbriti kodra dhe me vrap u ngjit në kodrën e parë (Safa) e cila ndodhej më pranë djalit. Këtë ritual mes dy kodrave, ajo e bëri shtatë herë rresht. Për ta përjetësuar shqetësimin e kësaj nëne për djalin e saj, Zoti e ka bërë obligim ritualin e Saj-it gjatë Haxhit. Kur u ngjit herën e shtatë mbi Merva, ajo dëgjoi një zë. Edhe pse nuk kishte tjetër kush, ajo tha:”Hesht!” Ajo konstatoi se zëri vinte nga ana djalit të saj Ismailit. Me vrap u nis drejt tij dhe atje pa se nën këmbët e foshnjës buronte ujë.
Ajo që kishte ndodhur është se Xhibrili a.s e kishte goditur tokën me krahun e tij – mu tek pusi i Zemzemit sot – dhe menjëherë kishte shpërthyer uji. Krahu i një meleku, kishte goditur tokën tek këmbët e një profeti dhe kishte dalë ujë. Duke qenë se fillimisht uji ishte i paktë, Haxhereja filloi të formojë një pellg me rërë, me qëllim që uji të mos shkonte dëm. Ndërkohë që mblidhte rërë rreth uji, ajo thoshte:”Zem, zem (grumbullohu, grumbullohu).”
Thotë profeti Muhamed a.s:”Zoti e faltë nënën e Ismailit! Nëse nuk do e kishte mbledhur ujin, ai do të rridhte si një lum.”
Haxhereja dhe djali i saj Ismaili a.s pinë nga uji i zemzemit dhe i shpëtuan vdekjes me anë të kësaj mrekullie hyjnore. Për shkak të ekzistencës së ujit, filluan të mblidhen dhe zogjtë, të cilët shiheshin në qiell duke fluturuar rreth e qark ujit. Sakaq, një nga fiset më të shquara arabe, Xhurhum, ishte shpërngulur nga Jemeni, për shkak të rrënimit të digës së ujit atje. Në Jemen, ishte ndërtuar një digë e madhe për rezervat ujore. Shkatërrimi i kësaj dige nga ku furnizoheshin me ujë fiset arabe, kishte bërë që ata të shpërnguleshin prej atij vendi dhe të shpërndaheshin në qoshe të ndryshme të Gadishullit Arabik. Kështu i takon që origjina e të gjithë arabëve është nga Jemeni. Mes fiseve që u shpërngulën përfundimisht nga Jemeni, ishte dhe fisi Xhurhum, një ndër fiset burimore arabe. Secili nga fiset kërkonte vende dhe zona ku kishte ujë. Duke qenë se ishin tregtarë, ata i njihnin burimet e ujit dhe oazet, të cilët kryesisht i gjenin në rrugën për në Sham. Gjatë rrugës, ata dalluan shpendët të fluturonin rreth e qark luginës Bekke. Ata e kuptuan se shpendët nuk mund të fluturonin pa ndonjë shkak dhe për këtë dërguan një prej tyre të hetojë situatën. Kur u kthye i dërguari, i lajmëroi se atje kishte gjetur ujin, atë për të cilin ishin shpërngulur nga Jemeni. Menjëherë i gjithë fisi u drejtua drejt vendit, ku përveç ujit gjetën dhe një grua me foshnjën e saj. Duke qenë se ishin njerëz të fisëm, të ndershëm dhe babaxhanë, ata e pyetën:”A na lejon dhe neve të banojmë në këtë luginë dhe të përdorim këtë ujë?” Haxhereja u përgjigj:”Po, me kusht që të më shpërbleni për këtë.” Burrat i thanë:”Dakord!” Edhe pse ishte vetëm një grua e pa krahë, edhe pse ata ishin një fis i tërë me burra e me gra dhe mund të vendoseshin pa pyetur fare për atë grua të mjerë, ata e pranuan këtë kusht. Ky ishte një ndër treguesit e fisnikërisë dhe babaxhanllëkut të tyre. Tashmë Haxheres dhe djalit të saj, përveç ujit iu sigurua dhe ushqimi e shoqëria. Ismaili a.s do të rritet mes fisit Xhurhum, ku dhe do të mësojë arabishten e pastër. Ai do të martohet me një vajzë nga fisi Xhurhum dhe prej tyre lindin arabët që më vonë do të quhen arabët e arabizuar. Nga kjo familje, do të dalë dhe profeti i fundit, Muhamedi a.s.
Të gjithë këto ngjarje, ishin rezultat dhe përgjigje e lutjeve që bëri Ibrahimi a.s pasi e kishte braktisur familjen. Këto lutje janë regjistruar në Kuranin fisnik.
“O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.” (Ibrahim, 37)
Shtëpia e Shenjtë që është Qabeja, nuk ka qenë e ndërtuar asokohe. Lidhur me faktin nëse themelet e saj ekzistonin, d.m.th ka ekzistuar më parë, thuhet se Qaben e ka ndërtuar djali i Ademit a.s, Shithi, por që me kalimin e kohës ishte rrënuar. Këtë përforcon dhe ajeti që thotë:”Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt.” (Al Imran, 96)
çdo vit, Ibrahimi a.s e vizitonte Haxheren dhe djalin e tyre më shumë se një herë. Ndërkohë, djali i tyre Ismaili a.s kishte hedhur shtat dhe ishte rritur. Në një nga vizitat e tij, teksa po flinte i qetë, Ibrahimi a.s sheh një ëndërr aq sa të çuditshme dhe të shqetësuese. Ai pa sikur therr djalin e tij të vetëm, gjë e cila ishte sinjal prej Zotit se duhej ta therë, pasi ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Këtë ndodhi e rrëfen vetë Zoti i lartësuar në Librin e Tij, ku thotë:
“O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë! Kur fëmija u rrit aq sa ta ndihmonte në punë, Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj. Çfarë mendon ti?” –
Me të drejtë, shtrohet pyetja:”Përse Ibrahimi a.s i kërkoi mendim dhe u konsultua dhe me djalin që duhej të therte, Ismailin?! Ai mund ta therte ndërkohë që Ismaili a.s ishte duke fjetur.”
Në një rast të tillë, demonstrohet dëshira e babait mysliman e besimtar, që djali i tij të jetë pjesëmarrës në një vepër që përbën kulminacionin e bindjes ndaj Zotit, me qëllim që edhe ai të përfitojë nga sevapi. Ky është një mesazh shumë i fuqishëm që u drejtohet të gjithë prindërve, që t’i bëjnë fëmijët pjesëmarrës në vepra të mira dhe shpërblime. Nëse dëshiron të japësh sadaka, jepja fëmijës tënd ta bëjë këtë. Kjo, me qëllim që fëmija të mësohet të japë. Kur të shkosh të dëgjosh një ligjëratë, merri dhe fëmijët e tu që të mësohen.
Përgjigja e Ismailit a.s, ishte akoma më mbresëlënëse
“I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!” (Saffat, 100-102) se pyetja e Ibrahimit a.s.
Ibrahimi a.s – siç duket qartë dhe në ajetin e mësipërm – i tha se kam parë në ëndërr sikur të therr dhe nuk i tha se jam urdhëruar. Megjithatë, Ismaili a.s e dinte se ëndrrat e profetëve janë të vërteta. Ai nuk i tha “E përse duhet të më therrësh?! çfarë krimi paskam bërë që të meritoj një fund të tillë?! Përse nuk pret një urdhër të qartë nga Zoti, por dashke të më therësh për një ëndërr që ke parë?!” Të gjitha këto as që i vajtën ndërmend Ismailit a.s.
“I biri i tha: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”
Thonë dijetarët myslimanë:”Me këto fjalë, Ismaili a.s demonstroi kulmin e etikës dhe modestisë me Zotin e lartësuar.” Ai nuk tha se do jem i durueshëm, por këtë e kushtëzoi me dëshirën dhe vullnetin e Zotit. Sado të fortë ta ketë besimin njeriu, nuk ka përse të vetë mashtrohet. Gjithçka, i duhet dedikuar Zotit të motrave. Thotë Zoti në Kuran:”
“Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se: “Me siguri që nesër do ta bëj këtë”. pa shtuar “Në dashtë Allahu! Dhe, kur të harrosh (të thuash “në dashtë Allahu”) – kujtoje Zotin tënd e thuaj: Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme nga kjo”. (Kehf, 23-24)
Pasi baba e bir vendosën të çojnë në vend vullnetin e Zotit, Ismaili a.s i tha të atit:”Ma kthe fytyrën nga toka, që mos e shohësh fytyrën time – ndërkohë që më therr – dhe të vijë keq.” Me këtë, ai donte t’ia lehtësojë procesin të atit.
“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri(Ismailin) me ballë përtokë.” (Saffat, 102)
Mandej, Ibrahimi a.s morri thikën, e vuri në qafën e të birit dhe filloi ta lëvizë që ta therë. Ajo që ndodhi është se thika nuk priste. Thika e humbi vetinë e saj, ashtu siç zjarri e humbi vetinë e tij. Thika nuk mund të presë veçse me urdhër të Zotit, ashtu siç dhe zjarri nuk mund të djegë veçse me urdhër të Zotit.
Ibrahimi a.s përpiqej me sa fuqi kishte por thika nuk priste. Po ashtu Ismaili a.s, i thoshte herë pas here:”Ngjeshe fort o baba!” por sërish thika nuk priste.
“Pasi iu nënshtruan që të dy urdhrit, (Ibrahimi) e vuri(Ismailin) me ballë përtokë.” (Saffat, 102)
Të dy i ishin nënshtruar urdhrit hyjnor dhe ishin të bindur se po vepronin drejt. Islam do të thotë, t’i dorëzohesh plotësisht urdhrave dhe dispozitave të Zotit, pa kundërshtim dhe hezitim.
E gjitha kjo ishte sprovë nga Zoti si për Ibrahimin a.s ashtu dhe për Ismailin a.s. Me dorëzimin e plotë, vënien e thikës në qafë dhe tentativave për ta çuar në vend urdhrin e Zotit, të dy e kishin kaluar me sukses këtë sprovë. Tashmë nuk ishte nevoja për të derdhur gjak. Vlera që kërkohej ishte dorëzimi dhe nënshtrimi i plotë ndaj Zotit. Kurse gjaku dhe mishi janë të pavlerë.
“Ne e thirrëm: “O Ibrahim, ti e përmbushe ëndrrën.” Vërtet, Ne kështu i shpërblejmë punëmirët! Kjo, me të vërtetë ka qenë një sprovë e qartë!” (Saffat, 104-107)
Kjo ka qenë sprova më e rëndë me të cilën Zoti ka vënë në provë një njeri. Kush prej nesh mund ta bëjë diçka të tillë me djalin e tij? Kush prej nesh mund ta bëjë diçka të tillë me djalin e tij të vetëm, i cili i ka lindur pas tetëdhjetë e pesë vitesh pritje? Dhe e gjitha kjo për shkak të një ëndrre?! Ibrahimi a.s, shumë mirë mund të thoshte se vrasja e një personi – aq më tepër e djalit të tij të vetëm – është krim. Ai shumë mirë mund ta zvarriste derisa t’i shpallej një urdhër i qartë. Por ai nuk e bëri këtë dhe iu nënshtrua plotësisht urdhrave të Zotit. Thotë Zoti në Kuran:”dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi detyrimet.”(Nexhm, 37)
Ai e kishte mbajtur besën në gjithçka. Ai pranoi të sakrifikohej kur e hodhën në zjarr. Ai pranoi të sakrifikoi djalin e tij të vetëm, për një ëndërr që pa. Ai sakrifikoi pasurinë e tij, saqë etiketohej me nofkën “babai i miqve”. Nuk pranonte ta hajë vaktin e radhës, veçse me ndonjë mik. Kur nuk gjente dikë për të ngrënë, ai zemërohej shumë.
“Dhe Ne e zëvendësuam atë (Ismailin) me një kurban të madh.” (Saffat, 104-107)
Teksa tentonte të therë djalin, Ibrahimi a.s dëgjoi një zë nga qielli. Kur ktheu kokën, dalloi Xhibrilin a.s me një dash të majmë, duke zbritur nga qielli. Ai nuk ishte nga deshtë e tokës, por ishte dash që ishte ushqyer në xhenet.
Tregon Abdullah ibnu Abasi:”Ishte një dash që kishte kullotur në xhenet për dyzet vite. Ai ishte i bardhë, me dy sy të gjerë, me brirë të gjata.”
Zoti e përjetësoi një ritual të tillë, ku haxhillarët therrin kurban çdo vit pranë Qabes, bashkë me ta të gjithë myslimanët anembanë botës. Duke therrur kurban, ne sikur i themi Zotit: Ne o Zot vazhdojmë të ecim në gjurmët e Ibrahimit a.s, i cili u tregua i gatshëm të sakrifikojë djalin e tij të vetëm.” Kurbani është përkujtues dhe sinjalizues i gatishmërisë për të sakrifikuar për hatër të Zotit. Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë veten, fëmijët dhe pasurinë tonë, duke ecur kështu në gjurmët e profetit tonë Ibrahim a.s.
“..dhe i lamë atij (Ibrahimit) kujtim të mirë në brezat e mëvonshëm. “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” Ja, kështu, Ne i shpërblejmë punëmirët. Ai ka qenë vërtet një nga robërit Tanë besimtarë. (Safat, 108-111)

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.