Historia e Ibrahimit a.s (pjesa 3)

Lindja e Is’hakut
Me qëllim që ta nderojë për bindjen dhe besën e mbajtur, Zoti e shpëbleu Ibrahimin a.s me një djalë tjetër, Is’hakun, me gruan e parë Sarën.
“Ne i dhamë atij lajmin e mirë për (lindjen e) Is’hakut, profet prej njerëzve të mirë.” (Safat, 112)
Unë habitem me disa interpretues të Kuranit, të cilët mendojnë se djali që Ibrahimi a.s pranoi të flijojë, ishte Is’haku dhe jo Ibrahimi a.s. Kjo, pasi janë ndikuar nga rrëfenjat izraelite. Zoti i lartësuar e përgëzoi Ibrahimin a.s me lindjen e Is’hakut, si shpërblim për respektimin e urdhrit të Zotit, qoftë dhe në flijimin e djalit të tij të vetëm.
Pasi Ibrahimi a.s u kthye në Palestinë, ku u bashkua me  gruan e tij të parë Sarën, Zoti e përgëzoi me lindjen e Is’hakut. Asokohe, Ibrahimi a.s kishte mbushur njëqind e njëzet vjeç. Kurse gruaja e tij Sara, ishte nëntëdhjetë vjeçe. Lajmin përgëzues dhe sihariqin, ia dhanë tre melekë, të cilët zbritën nga qielli, Xhibrili a.s, Mikaili dhe meleku i vdekjes. Këtë sihariq, ata ia dhanë gjatë rrugës për tek fshati i Lutit a.s. Zoti i lartësuar i kishte urdhëruar ta shkatërronin përfundimisht vendbanimin e popullit të Lutit a.s, për shkak të sjelljeve perverse që ishin përhapur mes tyre.
Gjatë rrugës, ata u ndalën në familjen e Ibrahimit a.s dhe Sarës. Ata vajtën tek shtëpia e Ibrahimit a.s, me pamjen e njerëzve. Kur u takuan me Ibrahimin a.s e përshëndetën dhe hynë brenda. Siç e kemi cekur dhe më lart, Ibrahimi a.s gëzohej pa masë kur i shkonin miq në shtëpi. Ibrahimi a.s, përveç gëzimit se i erdhën miq, ndjeu frikë dhe shqetësim nga prezenca e tyre. Ata nuk ishin të njohur në atë zonë dhe nuk kishin asnjë shenjë udhëtimi, nuk kishin kafshë udhëtimi, rrobat i kishin të pastra dhe nuk dukeshin të lodhur, që të merreshin për udhëtarë.
“A e ke dëgjuar historinë e mysafirëve të nderuar të Ibrahimit? Ata hynë tek ai e i thanë: “Paqe!” – dhe ai u tha: “Paqe, o njerëz të panjohur!” (Dharijat, 24-25)
Edhe pse nuk i njohu dhe nuk iu dukën udhëtarë, ai i futi brenda dhe i nderoi siç nderonte të gjithë miqtë.
“Të dërguarit Tanë, i sollën Ibrahimit lajmin e mirë dhe i thanë: “Paqe mbi ty!” Ai u përgjigj: “Paqja qoftë mbi ju!” Dhe me të shpejtë u solli atyre një viç të pjekur.”(Hud, 69)
“E pa u vënë re, ai shkoi te njerëzit e shtëpisë dhe solli një viç të majmë.” (Dharijat, 26)
Edhe pse ishin vetëm tre vetë, Ibrahimi a.s vajti e u therri një viç të madh. Kjo pasi siç thamë, ishte tepër bujar dhe zemërgjerë. Bujaria dhe zemërgjerësia është nga virtytet e profetëve dhe të dërguarve të Zotit.
“Kur pa se ata nuk po i zgjasnin duart tek mishi, nuk i pëlqeu dhe ndjeu frikë prej atyre.” (Hud, 70)
Duke parë që miqtë nuk po hanin fare nga mishi i pjekur, Ibrahimi a.s ndjeu frikë. Në një transmetim, thuhet se miqtë (melekët) i thanë:”Nuk hamë ushqim, pa paguar çmimin e tij.” Me këtë donin ta sprovojnë. Ibrahimi a.s u tha:”Mirë, hajeni dhe i paguani çmimin.” Melekët e pyetën:”E cili na qenka çmimi i tij?” Ibrahimi a.s u përgjigj:”Që të thoni në fillim “bismilah” dhe në fund “elhamdulilah”. Melekët i thanë:”Ka të drejtë i gjithëmëshirshmi, kur të etiketon “Mik i Zotit”.
Melekët e qetësuan dhe i treguan se kush ishin në të vërtetë.
“(Engjëjt) thanë: “Mos u frikëso, Ne jemi dërguar te populli i Lutit”. (Hud, 70)
Gjithashtu, i treguan misionin me të cilin i kishte dërguar Zoti, për të ndëshkuar popullin e Lutit a.s.
Sakaq, gruaja e Ibrahimit a.s, Sara, qëndronte në këmbë duke u shërbyer miqve.
“Gruaja e tij, që rrinte aty, qeshi dhe Ne i dhamë lajmin e mirë për Is’hakun e pas Is’hakut – për Jakubin.”(Hud, 71)
Ajo qeshi para se të dëgjojë sihariqin për lindjen e djalit, Is’hakut. Dijetarët thonë se qeshi kur dëgjoi se populli i Lutit a.s do të ndëshkoheshin dhe shkatërroheshin përfundimisht, për shkak se ishin degjeneruar dhe shthurur moralisht. Vetë profeti Lut a.s kishte dëshmuar:”Nuk njoh njerëz më të shthurur mbi faqe të tokës se këta.” Kështu, kur Sara dëgjoi se ky popull do të shkatërrohej, qeshi dhe u gëzua.
Përveçse e përgëzuan me lindjen e Is’hakut, melekët i dhanë dhe një sihariq tjetër po aq të gëzuar, lindjen e Jakubit, djalit të Is’hakut. Ajo do të jetonte aq shumë, sa të shihte edhe djalin e Is’hakut. Pra, ishin tre sihariqe. I pari, ishte se do të lindë një djalë. I dyti se do jetonte gjatë derisa ta shohë djalin e saj, Is’hakun të rritur. I treti se do gëzohej me lindjen e nipit të saj, Jakubit a.s, i cili dhe ai do të ishte profet.
Prandaj, kur profeti Muhamed a.s u pyet se kush ishte i fismi, ai u përgjigj:”I fismi, është biri i të fismit, biri i të fismit, biri i të fismit. Është Jusufi, biri i Jakubit, biri i Is’hakut, biri i Ibrahimit a.s.”  Profet, bir profeti, bir profeti, bir profeti. Një nder i tillë nuk i është dhënë tjetër kujt, përveç profetit Jusuf a.s.
“Atëherë erdhi gruaja e tij, që, duke thërritur dhe rrahur fytyrën, tha: “Vallë, a mundem (të lind) unë, plaka shterpë?” (Dharijat, 29)
“Kur melekët i dhanë sihariqin e lindjes së Is’hakut, Sara tha:”Ajo tha: “Ah! E mjera unë! A mos vallë, kështu plakë do të lind unë, ndërkohë që edhe burri im është plak! Me të vërtetë, kjo është diçka e jashtëzakonshme! Ata (engjëjt), thanë: “A mos vallë, po çuditesh me urdhrin e Allahut? Mëshira e Allahut dhe bekimi i Tij qoftë mbi ju – familjen e të Dërguarit. Me të vërtetë, Ai është i Falënderuar dhe i Lavdëruar!”(Hud, 72-73)
“Ata thanë: “Kështu ka qenë vullneti i Zotit tënd. Ai është vërtet i Urtë dhe i Gjithëdijshëm.” (Dharijat, 30)

Ndërtimi i Qabes
Në një nga vizitat e Ibrahimit a.s, i tha djalit të tij Ismailit:”O biri im, Zoti më ka ngarkuar me një përgjegjësi.” Ismaili a.s iu përgjigj:”O baba, vepro sipas asaj që të ka urdhëruar Zoti!” Ibrahimi a.s e pyeti:”Po, a do të më ndihmosh?” Ismaili a.s iu përgjigj:”Po.” Edhe pse nuk e dinte se çfarë duhej të bëjë. Atëherë, Ibrahimi a.s i tregoi:”Zoti më ka urdhëruar të ndërtoj në këtë vend, një faltore.” Ismaili a.s i tha:”Dhe unë do të ndihmoj.”
“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores..” (Haxh, 26)
Thuhet, se teksa hapte themelet, Ibrahimi a.s zbuloi themelet që kishte hedhur Shithi a.s. Në një transmetim tjetër, thuhet se ai zbuloi themelet e vendosura nga melekët.
Kur kurejshët vendosën ta rindërtojnë Qaben, deshën që themelet t’i thellojnë themelet e saj. Ata vazhduan të punojnë tek themelet, derisa zbuluan gurë të gjelbër me formë trekëndëshe, si majat e malit, të ndërthurur me njëri-tjetrin. Duke dashur t’i nxjerrin që ta thellojnë themelin, dikush solli një kazmë dhe me të hoqi njërin nga gurët në formë trekëndëshi. Me ta hequr gurin, prej atje doli një dritë e fortë, e cila gati sa nuk i humbi shikimin  këtij personi. Në çast, guri i ra nga duart dhe zuri vendin që kishte më parë. Atëherë, më të moshuarit u thanë:”Mos i prekni ato gurë, por ndërtojeni sipër tyre.”
Këto ishin themelet e Qabes, gurë, nën të cilët gjendej dritë. Allahu i lartësuar është burimi i dritës mbi tokë.
“Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur.” (Haxh, 26)
“Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt. Në të ka shenja të qarta (që janë): vendi i Ibrahimit (mekami Ibrahim); (fakti që) kush hyn në të është i sigurt;” (Al Imran, 96)
“Kur Allahu e provoi Ibrahimin me disa urdhërime, të cilat ai i plotësoi, Allahu i tha: “Unë do të të bëj ty imam (prijës) të njerëzve!” – “Po pasardhësit e mi?” – pyeti ai. Allahu tha: “Premtimi Im nuk i përfshin të padrejtët.” (Bekare, 124) Zoti i përjashtoi zullumqarët nga mundësia për të qenë njerëzit e dashur të Zotit.
Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vendgrumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrijnë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur”. Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” – Herën e parë, Ibrahimi a.s u lut për pasardhësti e tij dhe Zoti ia pranoi lutjen por vetëm për besimtarët prej tyre. këtë herë, kur Ibrahimi a.s lutet për furnizim të bollshëm, e kufizon atë vetëm për besimtarët. Kurse Zoti përfshin dhe jobesimtarët, pasi risku u takon të gjithëve – Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!”(Bekare, 125-126)
Ibrahimi a.s dhe Ismaili, filluan ndërtimin e faltores së parë në tokë dhe gjatë punës, e lusnin Zotin me përgjërim.
“Kur Ibrahimi dhe Ismaili ngritën themelet e Qabes, u lutën:“O Zoti ynë! Pranoje prej nesh (këtë vepër)! Me të vërtetë, Ti je Ai që dëgjon dhe di gjithçka! O Zoti ynë! Na bëj të përulur ndaj Teje! Bëj që edhe pasardhësit tanë të jenë të përulur ndaj Teje! Tregona ritet e Haxhit– na trego si të adhurojmë – dhe pranoje pendimin tonë, se, pa dyshim, Ti je Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti! O Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë (rregullat e fesë) e t’i pastrojë (nga gjynahet)! – Kjo ishte lutja më madhështore që bënë – Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!” (Bekare, 127-129)
gjatë ndërtimit, Ibrahimit a.s iu desh një gur qoshi. Për këtë i kërkoi Ismailit a.s që t’i sjellë një gur të përshtatshëm. Ismaili a.s ia ktheu:”O baba! Jam i lodhur.” Ibrahimi a.s i tha:”çohu!” dhe Ismaili a.s u ngrit dhe vajti të kërkojë. Pasi kërkoi gjatë dhe nuk gjeti, u kthye duarbosh. Kur u kthye, pa që në qoshe ishte vendosur guri dhe Ibrahimi a.s po vazhdonte punën. I çuditur, pasi në ato zonë nuk ekzistonin gurë të tillë të bardhë, e pyeti:”O baba! Kush ta solli këtë gur?!” Ibrahimi a.s u përgjigj:”E solli Ai që nuk lodhet. E solli Xhibrili a.s dhe ky gur është nga xheneti.”
Guri për të cilin flitet, është guri i zi që ndodhet në një nga katër qoshet e Qabes. Në një hadith, thuhet se fillimisht ai ishte i bardhë si qumështi, por me kalimin e kohës u nxi, nga gjynahet e njerëzve.
Baba e bir, vazhduan ndërtimin e Qabes, ku muret ishin pa baltë, ishin mure të thatë, gurë të vendosur mbi njëri-tjetrin. Kur ndërtimi kishte mbërritur në lartësinë e Ibrahimit a.s dhe e kishte të pamundur të vazhdojë, ai i kërkoi Ismailit a.s t’i sjellë një gur që të qëndrojë sipër tij gjatë punës. Ismaili a.s i solli një gur, mbi të cilin Ibrahimi a.s qëndronte këmbëzbathur. Për shkak të qëndrimit të gjatë, guri mori formën e këmbëve të Ibrahimit a.s. Që atë herë, guri njihet me emrin “vendqëndrimi i Ibrahimit” (mekam Ibrahim). Më parë, ky gur qëndronte ngjitur me murin e Qabes dhe njerëzit shtyheshin nga dëshira për ta parë gurin dhe gjurmët e këmbëve të Ibrahimit a.s. Kjo shkaktonte shumë probleme gjatë tavafit. Për këtë, Umer ibnul Hattabi e lëvizi nga ai vend, pasi u konsultua me shokët e tjerë të Profetit a.s.
Ekziston dhe një mendimi i dytë, lidhur me vendin ku ndodhet mekami i Ibrahimit a.s sot. Sipas këtij mendimi, Ibrahimi a.s e përdorte gurin për të kontrolluar nivelin e mureve. Thuhet se ai qëndronte shumë gjatë mbi atë gur, duke kontrolluar nivelin e katër mureve.
Sido që të jetë, ai është një vend i shenjtë dhe me  vlera.“Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfaljeje!” (Bekare, 125)
Të falesh pranë mekamit të Ibrahimit a.s është diçka e pëlqyeshme, por nëse nuk pengon njerëzit që bëjnë tavafin. Në të kundërt, mund të falesh në çdo vend tjetër në Qabe.

Rituali i Haxhit
Me përfundimin e faltores, Zoti obligoi një nga pesë shtyllat e besimit Islam, Haxhin.
“dhe vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (është detyrë)për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al Imran, 97)
Për ta publikuar këtë obligim, Zoti urdhëroi Ibrahimin a.s:”Thirri njerëzit për haxhillëk…” (Haxh, 27)
Ibrahimi a.s pyeti i habitur:”O Zot! T’i thërras njerëzit të vijnë në haxh?! E sa mund të arrijë zëri im?!” Zoti i lartësuar iu përgjigj:”O Ibrahim! Ti ke obligim t’i thërrasësh, kurse kumbesa është përgjegjësi e Imja.” Atëherë, Ibrahimi a.s u nis drejt Arafatit, u ngjit mbi një kodër atje dhe thirri:”O njerëz! Zoti u kërkon të kryeni haxhin!” Ishte një njeri që i bënte thirrje të gjithë njerëzimit, që të kryejnë ritin e Haxhit. E kush mund ta dëgjonte?! Por në këtë rast ndërhyjnë dhe veprojnë ligjet hyjnore, ndaj zëri i tij mbërriti tek të gjithë njerëzit mbi tokë. Jo vetëm kaq, por mrekullia më e madhe është se Zoti i lartësuar e bëri Qaben dhe ritin e Haxhit, diçka të shenjtë dhe të dashur për të gjithë besimtarët.
“Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e
Allahut në ditët e caktuara mbi kafshët (për kurban), të cilat ua ka dhuruar Ai. Hani nga ato (mishin) dhe ushqeni nevojtarin e varfër!” (Haxh, 27-28)
Që atëherë, starton dëshira dhe pasioni për të kryer Haxhin në këtë vend të bekuar.

Ibrahimi a.s, mik i Zotit
Ibrahimi a.s ishte njeriu më i dashur tek Zoti, saqë mori dhe titullin “mik i Zotit”. Në shumë thënie, profeti Muhamed a.s sinjalizon se Ibrahimi a.s ishte profeti më i dashur tek Zoti, pas tij.” Në një nga këto hadithe, Profeti a.s thotë se Ditën e Kiametit, do e kenë zili të gjithë njerëzit, madje edhe vetë Ibrahimi a.s.
Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im! Tregomë si i ngjall të vdekurit!” – Zoti i tha: “A nuk beson?” – “Besoj” – iu përgjigj Ibrahimi, “por dëshiroj të më qetësohet zemra.” – Dijetarët shprehen se ekzistojnë dy lloje dijesh: Dija e sigurt (ilmul jekin), sipas të cilës njeriu nuk dyshon aspak për diçka. Transmetohet nga Umer ibnul Hattabi, se ka thënë:”Për Zotin, sikur të hapej qielli dhe të shoh me sy xhenetin dhe zjarrin, nuk do më shtohej më shumë besimi që kam për ekzistencën e tyre.” E dyta, është siguria e plotë (ajnul jekin) kur njeriu e sheh me sytë e tij, atë që i besonte më parë. – Allahu i tha:“Merr katër zogj dhe copëtoji. Shpërnda në çdo kodër nga një copë prej tyre pastaj thirri! Ata do të të vijnë me të shpejtë. Dhe ta dish se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”(Bekare, 260)
Zoti i tha që të marrë katër zogj, t’i therë, t’i copëtojë, mishin e puplat t’ua përziejë me njëri-tjetrin dhe t’i shpërndajë në katër male. Në një transmetim, thuhet që kokat e tyre, e urdhëroi t’i mbajë në duar. Ibrahimi a.s mori katër zogj, i theri, i copëtoi dhe i përzjeu me njëri-tjetrin, përftesën e ndau në katër pjesë, ku çdo pjesë e çoi në një mal, ndërkohë që kokat i mbajti në dorë. Mandej, i thirri mishrat e katër zogjve, të cilët erdhën para syve të tij, secili mori kokën e tij dhe fluturuan, duke u ringjallur kështu sërish.
Si çdo profeti të dërguar tjetër, edhe profetit Ibrahim a.s iu shpallën vargje hyjnore. Kur profeti Muhamed a.s u pyet mbi shpalljen e Ibrahimit a.s, u përgjigj:”Ato ishin të gjitha fjalë të urta. Nga këto fjalë, ishin:”O ti sovran tiran, i sprovuar dhe i vetëmashtruar! Unë nuk të dërgova të koleksionosh të mirat e dynjasë me njëra-tjetrën, por të dërgova që të përkrahësh atë që i është bërë padrejtësi. Lutjen e atij që i është bërë padrejtësi, unë e dëgjoj edhe nëse vjen nga një jobesimtar.”
Një këshillë tjetër është:”Një njeri i mençur, përderisa nuk e ka humbur mendjen akoma, duhet ta ndajë ditën në orë:”Në një orë, ai duhet t’i qajë hallet Zotit të tij. – Ky është një ritual të cilin e kanë braktisur njerëzit. Ai konsiston në faktin që të ulesh dhe t’i flasësh Zotit, sikur e ke përpara, në vetmi të plotë. – Në një orë, të meditosh mbi krijesat e Zotit – për ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë dhe që meditojnë për krijimin e qiejve dhe të Tokës (duke thënë:) “O Zoti Ynë! Ti nuk i ke krijuar kot këto – lartësuar qofsh (nga çdo e metë)! Prandaj na ruaj nga ndëshkimi i zjarrit.” (Al Imran, 191) – Në një orë, i flet vetes dhe i kërkon llogari për gjithçka ka vepruar për atë ditë. Një orë tjetër, e ka për dëfrim të lejuar. Një i mençur nuk ka përse lodhet, veçse për tre gjëra: Përgatitje për atë që e pret (Ditën e Gjykimit), të lodhet për të siguruar riskun, të kënaqet me diçka jo të ndaluar. I mençuri duhet ta njohë mirë kohën dhe aktualitetin ku jeton, të lodhet për interesin e tij, të ruajë gjuhën e tij. Kush e di që fjalët janë pjesë e punës, për të cilat do japë llogari, i pakëson fjalët, përveç rasteve kur është e dobishme.”
Vlerat e Ibrahimit a.s
Në shumë hadithe të sakta, flitet për vlerat e hazreti Ibrahimit a.s. Një nga vlerat e tij më të spikatura, është se njihej si mik i të Gjithëmëshirshmit.
“Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!” (Nisa, 125)
Një vlerë tjetër, siç ceket në një hadith tjetër, është se Ibrahimi a.s është personi i parë që do të vishet Ditën e Kiametit.
Një vlerë e tretë, është se në Kuran ai përshkruhet si njeriu që e mbajti besën me Zotin, duke i përmbushur të  gjithë obligimet. “dhe të Ibrahimit – i cili i plotësoi detyrimet.” (Nexhm, 37)
Ibrahimi a.s hyn tek të dërguarit e vendosur, të cilët përmenden në ajetin:
“Ne lidhëm besën me ty (o Muhamed) siç bëmë me profetët e tjerë: me Nuhun, Ibrahimin, Musain dhe Isain, të birin e Merjemes. Ne lidhëm me ata një besë solemne,” (Ahzab, 7)
Një vlerë tjetër, është se Ibrahimi a.s është etiketuar nga vetë Zoti si umet.
Me të vërtetë, Ibrahimi ka qenë prijës (umet) shembullor (me të gjitha virtytet e mira), i përulur para Allahut, me besim monoteist dhe nuk ka qenë nga idhujtarët. (por ka qenë) mirënjohës ndaj dhuntive të Tij. Ai e zgjodhi atë dhe e udhëzoi në rrugë të drejtë.Ai e falënderonte Zotin për gjithçka, sa herë që vishej, thoshte “Elhamdulilah”, po kështu sa herë që ushqehej, dilte dhe kthehej. Njerëzit sot e kanë harruar burimin e begative të tyre. ” (Nahl, 120-122)
Ibrahimi a.s vdiq në moshën njëqind e shtatëdhjetë vjeçare. Atë e varrosën dy djemtë e tij Ismaili a.s dhe Is’haku, Habron, që sot njihet nga myslimanët me emrin Halil.
“Dhe Ne i dhuruam atij Is’hakun dhe Jakubin dhe pasardhësve të tij u dhamë Profecinë dhe Librin. Ne i dhamë atij shpërblim në këtë botë, ndërsa në jetën tjetër, me siguri, ai do të jetë prej njerëzve të mirë.”(Ankebut, 27)
Të gjithë profetët që rrjedhin pas Ibrahimit a.s, janë nga familja e tij.

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: