Durimi – Veper e cila shperblehet …

Sprovat janë themele mbi të cilat zhvillohet cilësia më e lartë shpirtërore e durimit. Kështu, nuk është për t’u befasuar nëse ndodh që të drejtit të jenë subjekt i shumë tragjedive dhe vështirësive në jetën e tyre. Është transmetuar nga Sa’di, se ky e ka pyetur të Dërguarin, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, se kush prej njerëzve ka qenë më së tepërmi i sprovuar, dhe ai i është përgjigjur: “Të dërguarit, pastaj ata më të ngjashëm me ta, pastaj ata pas tyre. Njeriu sprovohet varësisht prej shkallës së besimit -imanit. Po qe se besimi i tij është i paluhatshëm, sprovat e tij do të behen më të rënda, dhe nëse është i dobët në besimin e tij, ai do të sprovohet varësisht prej besimit të tij.” Durimi i vërtetë është produkt i besimit të plotë në Zotin në çastet e vështirësisë. Mbështetja në Zotin është një aspekt i rëndësishëm i adhurimit dhe rrjedhojë natyrore e besimit të vërtetë. Pasi besimi në Allahun nënkupton pranimin se asgjë nuk ndodh në univers pa lejen e Tij, atëherë vetëm Allahu meriton besën e plotë të njerëzimit. Ngase, vetëm premtimi i Zotit është ai që nuk thehet kurrë. Sado që të jetë i drejtë, njeriu ka mundësi për të gabuar. Njerëzit gjithmonë do ta zhgënjejnë njëri-tjetrin për shkak të natyrës së tyre gabuese. Ndaj, Allahu citon të Dërguarin Ja’kub në kaptinën Jusuf duke thënë: “Vërtet qe gjykimi është vetëm i Allahut; tek Ai unë e kam lidhur besimin, dhe ata që kërkojnë mbështetje le të mbështeten vetëm tek Ai.”( Jusuf 12; 67) Allahu i siguron njerëzit se nëse ata mbështeten plotësisht në Të, Ai do të jetë i mjaftueshëm për ta në çastet e tyre më te vështira. “Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht.” (Talak 65; 3) Mbështetja në Zotin është e mishëruar në besimin e fortë se vetëm Allahu e di se çka është e mirë për njerëzimin; dhe në besimin e fortë se atë që njerëzit mund ta shohin si diçka të mirë për ta, më vonë mund të dalë si e keqe për ta. Ashtu siç Allahu ka thënë në Kuran: “Ndodh që ju mund të mos e pëlqeni një gjë që është në të vërtetë e mirë për ju dhe të pëlqeni një gjë tjetër që është e keqe për ju. E Allahu e di, por ju nuk e dini.” (Bekare 2; 216) Sprovat me të cilat Allahu i provon njerëzit, janë të përshtatura posaçërisht për rrethanat dhe nevojat e tyre individuale. Zoti i krijon sprovat për secilin person varësisht prej mundësive të tyre, në mënyrë që të nxjerrë më të mirën prej tyre. Do të kishte qenë padrejtësi sikur njerëzit do të sprovoheshin përtej mundësive të tyre dhe pastaj të ndëshkoheshin për dështimet e tyre. Prandaj, në shumë ajete në shpalljen e fundit Zoti tregon se Ai nuk është ndaj askujt i padrejtë. Për shembull, në kaptinën el-Kehf Ai thotë: “Dhe Zoti yt nuk i bën askujt padrejtësi.” (Kehf 18; 49) Nëse Allahu është vërtetë i drejtë, kjo nënkupton që sprovat të cilat njerëzit i ndeshin në këtë jetë nuk janë përtej mundësisë së tyre për t’i përballuar. Për ta siguruar njerëzimin, Allahu vazhdimisht ka përsëritur këtë fakt në Kuran. Një shembull i garancës së Tij mund të gjehet në kaptinën e dytë, të titulluar Bekare: “Allahu nuk e ngarkon askënd me atë që nuk mund ta bartë.” (Bekare 2; 286) Pastaj, i Gjithfuqishmi premton se situatat e vështira të cilat njerëzit i ndeshin gjatë jetës nuk do të jenë pa intervale të rehatisë. Nëse sprovat do të kishin qenë të vazhdueshme, ato do të bëheshin të padurueshme. Prandaj, çdo sprovë është e përcjellë nga një periudhë lehtësimi, ashtu siç thekson Allahu, dy herë, në kaptinën el-Inshirah: “Dhe vërtet, pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Vërtet, pas çdo vështirësie vjen lehtësimi.” (Inshirah 94; 5-6)

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.