Shpërblimi dhe dënimi për sjelljet ndaj kafshëve

Sipas shpalljes së fundit, vrasja e kafshëve me qëllim sporti dhe zbavitjeje është e ndaluar dhe mëkat tek Zoti. Ibn Abbasi transmeton se i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Mos merr si cak asnjë gjallesë.” Vrasja e ndonjë kafshe është e ndaluar, përveçse për ushqim, për mbrojtje të jetës së njeriut, ose për veshmbathje. Vrasja për argëtim dhe kënaqje është në thelb gjë e keqe. Edhe kur të vritet ndonjë njeri për shkak të krimit të bërë ndaj shoqërisë, ose kur të theret ndonjë kafshë për shkak të ushqimit, ekzekutimet duhet të bëhen me sa më pak dhembje. Sheddad Ibn Aus-i rrëfen dy gjëra të cilat i ka përmendur Muhammedi, paqja dhe shpetimi i Allahut qofshin mbi të, duke thënë:
“Vërtet, Allahu e ka urdhëruar të mirën për gjithkënd; kështu kur ta ekzekutoni dikënd, bëjeni atë në mënyrën më të mirë, dhe kur të therni një kafshë, bëjeni atë në mënyrën më të mirë. Duhet ta mprehni thikën dhe t’ia mundësoni kafshës së therur të ngordhë pa mundime.”
Megjithatë, disa “simpatizues të kafshëve” në vendet perëndimore e kanë kundërshtuar metodën islame të therjes së kafshëve. Alternativa e Perëndimit e goditjes së kafshëve me shok elektrik ose me goditje në kokë, shkaktojnë dhembje më të mëdha të kafshëve. Kur qafa prehet me thikë shumë të mprehtë, kafsha nuk e ndien atë dhe së shpejti e humb vetëdijen, meqë zemra e nxjerr gjakun jashtë nëpërmjet arterieve karotide.
Kujdesi ndaj kafshëve bën pjesë në ligjin hyjnor, bile edhe në rastin e qenve, të cilët në përgjithësi janë të ndaluar të futen brenda në shtëpitë e muslimanëve. Ebu Hurejra shënon se i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka treguar: “Një njeriut duke ecur i erdhi etja, kështu që zbriti poshtë në një pus dhe piu prej tij. Me të dalë, ai pa nje qen të etur duke gulçuar dhe duke ngrënë baltë. Njeriu tha me vete: ‘Kjo kafshë është e etur ashtu si qeshë edhe unë më parë.’ Kështu, zbriti përsëri poshtë në pus dhe mbushi këpucën e tij me ujë. Pastaj ai, duke mbajtur këpucën me dhëmbët e tij, doli nga pusi dhe i dha qenit ujë. Allahu e falënderoi dhe e fali atë (dhe e bëri prej banorëve të Xhennetit).” Njerëzit pyetën: “O i Dërguari i Allahut! A shpërblehemi edhe nëse u shërbejmë kafshëve?” Ai u përgjigj: “Për çdo qenie të gjallë ka shpërblim.” Ebu Hurejra po ashtu transmeton se i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, kishte treguar: “Allahu e fali një prostitutë (nga izraelitët) e cila e lidhi këpucën e saj me shami, e nxori ca ujë (nga burimi) për një qen i cili ngordhte nga etja. Për këtë, Allahu e fali atë.”
Përveç kësaj, në ligjin islam keqtrajtimi i kafshëve është mëkat i madh. Abdull-llah Ibn Umeri ka rrëfyer se i Dërguari, paqja dhe shpetimi i Allahut qofshin mbi të, ka treguar: “Një grua ishte ndëshkuar dhe ishte dërguar në Ferr, ngase kishte burgosur një mace derisa ngordhi. Ajo as që i dha ushqim e as ujë, e as që nuk e la të lirë të hajë nga brejtësit e tokës.”
Ekzistojnë raste kur kafshëve duhet t’u shkaktohet dhembje, si p.sh. kur t’i godasim për t’i trembur ose kur t’i damkosim për identifikim. Megjithatë, edhe në këto situata, Zoti ka lënë udhëzime për t’i mbrojtur ato. Xhabiri ka transmetuar se i Dërguari, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të: ka ndaluar që kafsha të goditet ose të damkoset në fytyrën e saj.

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.