Historia e profetit Hud a.s (pjesa 1)

Një nga fëmijët e Nuhut a.s, ishte dhe Sam, prej të  cilit rridhnin arabët dhe hebrenjtë. Një ndër pasardhësit dhe pinjollët e Sam, ishte Hudi a.s. Emri i tij ishte Hud, biri i Abdullahut, biri i Rebah, biri i Xharud, biri i Ad, biri i Aus, biri i Irem, biri i Sam, biri i Nuhut a.s. Shpesh herë, populli i Hudit a.s, njihen edhe me emrin Ad dhe Irem, për shkak të gjyshërve të tij Hudit a.s.

Populli i Hudit a.s jetonin në një rajon që njihej me emrin Ahkaf, emër të cilin e ka marrë dhe një nga suret e Kuranit fisnik. Vetë fjala Ahkaf, do të thotë duna rëre. Ahkaf ndodhej në Jemen, mes Omanit dhe Hadramaut, në një vend që shtrihej mbi det dhe që njihej me emrin Shihr. Thotë Zoti në Kuran:“Kujtoje vëllanë e fisit Ad (Hudin), kur e paralajmëroi popullin e vet në Ahkaf.” (Ahkaf, 21)

Kjo popullatë, ndërtimin e shtëpive e kishin kthyer në art. Shtëpitë e tyre të preferuara ishin çadrat, por që nuk ishin aspak të zakonta. Ato ishin shumë të mëdha dhe plot dekoracione.

“Vallë, a nuk e di ti se çfarë ka bërë Zoti yt me fisin Ad, banorë të Iremit me pallate shumështyllëshe, të atillë që nuk janë krijuar askund tjetër në tokë si ata?!” (Fexhr, 6-8)

Ata ishin mjeshtër të ndërtimit të shtëpive, rrugëve, fshatrave e qyteteve. Në vendet e sheshta, ata ndërtonin dhe banonin në çadra. Kurse në kodra e male, ndërtonin pallate dhe shtëpi të larta. Rrugët e qyteteve të tyre ishin të gjera dhe të bukura. Disa thonë që për dekoracionet e mureve përdornin flori dhe argjend, por këtë veç Zoti e di më mirë. Një zhvillim i tillë nuk është parë në asnjë vend tjetër, gjë e cila theksohet edhe në Kuran, në ajetin e lartpërmendur.

Gjuha që fliste populli i Hudit a.s, ishte arabishtja. Vetë Hudi a.s ishte arab, gjë e cila ceket në një hadith të transmetuar nga Ibnu Hibani, sipas të cilit, Profeti a.s po i fliste Ebu Dherit mbi profetët e Zotit. Veç të tjerash, ai i thotë:”…Katër prej tyre janë arabë, Hudi, Salihu, Shuajbi dhe Profeti yt o Ebu Dher.”

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: