Historia e profetit Hud a.s (pjesa 3)

Me gjithë tentativat e Hudit a.s, ata vazhdonin me idhujtarinë e tyre. Në vend që ta besonin Hudin a.s, popullata filluan të tallen dhe ta ofendojnë. Ata i thanë:”

“Paria e popullit të tij që nuk besonte, tha: “Ne shohim tek ti mendjelehtësi dhe mendojmë se je gënjeshtar”. (Araf, 66)

Ata thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua, ne nuk do t’i braktisim zotat tanë dhe nuk të besojmë ty! Ne themi vetëm se ty të ka goditur ndonjë e keqe nga zotat tanë”. (Hud, 53-54)

Duke qenë se ti i shan zotat dhe perënditë tona, ata janë hakmarrë dhe të kanë çmendur.

“Por paria e popullit të tij, e cila nuk besonte dhe e mohonte takimin në botën tjetër dhe, së cilës, i kishim dhënë të mira në këtë botë, tha: “Ky është vetëm njeri si ju, ha nga ato që hani edhe ju dhe pi nga ato që pini edhe ju! Nëse ju i bindeni një njeriu si ju, me siguri, do të jeni të humbur! A ju premton ai që, kur të vdisni e të bëheni pluhur dhe eshtra, do të ringjalleni vërtet?! Sa premtim qesharak që është! Nuk ka jetë tjetër përveç jetës së kësaj bote, ne jetojmë e vdesim e nuk do të ringjallemi më. i është vetëm një njeri që trillon gënjeshtra për Allahun, prandaj nuk i besojmë atij.” (Muminun, 33-38)

Duke parë rezistencën e Hudit a.s dhe pasionin e tij për t’i këshilluar, i thanë:

“Ata thanë: “Për ne është njëlloj: na këshillove ose nuk na këshillove ti. Këto janë vetëm doket e popujve të lashtë e ne nuk do të jemi të dënuar.” (Muminun, 136-138)

Me këtë rast, Hudi a.s filloi t’i sfidojë, ashtu siç e sfidoi më parë Nuhu a.s popullin e tij idhujtar.

“Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak!” (Hud, 54-55)

Hudi a.s e luti Zotin e lartësuar me fjalët:

(I dërguari) tha: “O Zoti im, më ndihmo, sepse ata më akuzojnë se gënjej!”

 (Allahu) tha: “Së shpejti do të pendohen!” (Muminun, 39-40)

 

Si e ndëshkoi Zoti popullin e Hudit a.s?

Ndëshkimi i Zotit për këtë popull ishte me një stuhi ere që nuk ka ekuivalente në gjithë historinë njerëzore. Si fillim, në atë rajon u ndal shiu, gjë e cila shkaktoi një zinxhir pasojash të rënda. Të mbjellat dhe pemët filluan të thahen dhe kafshët filluan të ngordhin. Të gjithë njerëzit prisnin me padurim të binte shi dhe të ringjallej ekonomia. Një ditë, nga larg ata dalluan një re të zezë. Këtë e komentuan si një sihariq të madh, pasi pritej të bjerë shiu aq shumë i shpresuar. Thotë Zoti në Kuran:

“Dhe kur panë një ré që u duk se vinte në drejtim të luginave të tyre, ata thanë: “Kjo re po sjell shiun!” “Jo!” – u përgjigj ai – “kjo është ajo që ju e keni shpejtuar: një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë.” E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” (Ahkaf, 24-25)

Gjithçka u rrënua, shtëpitë, fabrikat, pemë e bimë etj… përveç shtëpive që kishin gdhendur në shkëmbinjtë malorë.

“(Mësim ka edhe në historinë) e fisit Ad, kur i dërguam erën shkatërruese, e cila, ngado që kaloi, nuk kurseu asgjë, duke i kthyer në kalbësira.”(Dharijat, 41-42)

“Edhe fisi Ad e quajti gënjeshtar (të dërguarin Tonë), por sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia! Ne u dërguam atyre në një ditë fatkeqe një erë të stuhishme të pandërprerë, e cila i nxirrte njerëzit, sikur të ishin trungje të shkulura hurmash. Eh, sa i tmerrshëm qe dënimi Im pas paralajmërimeve të Mia!” (Kamer, 18-20)

Stuhia i ngrinte njerëzit përpjetë dhe kur i përplaste për ndonjë objekti, ua shkulte kokën nga trupi.

“kurse fisi Ad u shkatërrua nga një furtunë shungulluese të rreptë, të cilën Allahu ua dërgoi atyre shtatë net dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. A sheh ndonjë gjurmë të tyre?” (Hakka, 6-8)

Lidhur me profetin Hud a.s, Zoti e shpëtoi nga ky dënim i frikshëm dhe i tmerrshëm. Stuhia e erës rrënonte dhe përpinte gjithçka tjetër, përveç vendit ku qëndronte Hudi a.s dhe ithtarët e tij.  Thuhet se ai bashkë me ithtarët dhe ca kafshë, ndodheshin në një vathë.

“Me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin dhe të gjithë besimtarët që ishin me të dhe i asgjësuam ata që i mohuan shpalljet Tona. Ata ishin të gjithë mosbesimtarë.” (Araf, 72)

“Kur erdhi urdhri Ynë, me mëshirën Tonë, Ne e shpëtuam Hudin bashkë me besimtarët e tij. I shpëtuam ata nga dënimi i rëndë. Ja, ky ishte fisi Ad. Ai i mohonte shenjat e Zotit të tij, nuk i dëgjonte të dërguarit e Tij dhe shkonte pas urdhrit të çdo keqbërësi kokëfortë. Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” (Hud, 58-60)

Hudi a.s bashkë me besimtarët jetuan po në atë rajon. Ai vdiq dhe u varros në Hadramaut.

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.