Edukata me Zotin

Gjëja e parë,të cilën kërkon edukata me Allahun(Zotin) është që të jesh i çiltër në adhurimin e Tij,si dhe ta pastrosh dhe ta mbrosh këtë adhurim nga çdo gjë e cila e prish apo e dëmton atë,si shirku(të adhurosh diçka tjetër përveç Zotit)ashtu dhe hipokrizia.Për këtë Zoti i Madhëruar thotë në Kur’anin Famëlartë: “Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër vetëm që të adhuronin Allahun(Zotin)me një adhurim të çiltër.”(El-Bejine;5)Gjithashtu në një ajet(varg)kuranor tjetër thotë: “Kush shpreson në takimin e Zotit të tij le të punojë punë të mira dhe të mos shoqërojë askënd në adhurimin e Zotit të tij.”(El-Kehf;110) Sinqeriteti e nxit Besimtarin të zbatojë urdhrat e Zotit të Gjithësisë,e të largohet nga gjërat që ka ndaluar Ai. Allahu(Zoti)e përshkruan bindjen e besimtarit ndaj Tij duke thënë: “Ata thanë: “ne dëgjuam dhe u bindëm.Ne kërkojmë faljen Tënde.Zoti ynë tek Ti është kthimi.” (El-Bekare;285) Kryerja në mënyrë të vazhdueshme e adhurimit,veçanërisht e namzit,e rrit frikën,përkushtimin dhe nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar.Për këtë Allahu ka thënë: “Me të vërtetë namazi të parandalon nga veprat e shëmtuara dhe të ulëta.”(El-Ankebut;45) Kurse në një ajet tjetër thotë: “Vërtetë që tashmë kanë shpëtuar besimtarët.Ata të cilët janë të përkushtuar në faljen e namazit.”(El-Mu’minun:1-2)

Kur zemra e Muslimanit e ndjen frikën e qëndrimit para Allahut(Zotit),atëherë ajo shfaqet në gjymtyrët,në punët dhe në jetën e tij derisa bëhet mirënjohës ndaj Zotit për begatitë e Tij.Begatitë,mirësitë e Zotit ndaj njeriut janë të shumta e për çdonjërën prej tyre duhet që të jemi mirënjohës ndaj Zotit.Gjuha është një begati dhe mirënjohja për këtë begati është që ajo të madhëroje dhe lavdërojë Allahun(Zotin).Fëmija është dhuratë e Allahut dhe falenderimi për të është edukimi i tij,duke ia mësuar Islamin.

Po kështu mund të flisnim për mirësjelljen ndaj prindërve,për mësimin e Kur’anit e shembuj të tjerë të ngjashëm.Pra mirësitë e Allahut janë të pafundme,çka kërkojnë prej nesh që të jemi mirënjohës.Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur t’i numëronit begatitë e Allahut nuk do të mund të arrinit t’i përcaktonit.”(En-Nahël;18)

Me gjithë mirësitë e panumërta,muslimani nuk mund të shpëtojë dot nga caktimi dhe sprovat e Allahut.Por,edhe këto sprova ai mund t’i kthejë në mirësi,vetëm se me disa kushte: duke bërë durim,duke qenë i kënaqur me caktimin e Allahut dhe duke shpresuar shpërblim nga këto fatkeqësi. Për këtë Profeti Muhamed a.s thotë: “E çuditshme është çështja e besimtarit.E gjithë çështja e tij është mirësi dhe kjo është vetëm për besimtarin,Nëse i vjen ndonjë e mirë,atëherë ai e falenderon Allahun dhe kjo është mirësi për të,dhe nëse i vjen ndonjë e keqe,atëherë ai duron dhe përsëri kjo është mirësi për të.” Në qoftë se besimtari vazhdon kështu,atëherë do të turpërohet prej Allahut dhe do të futet në radhën e atyre njerëzve që i kryejnë urdhëresat dhe u shmangen ndalesave.

Kur njeriu(besimtari )bën ndonjë gjynah ai duhet të shpejtojë të pendohet me dëshirë dhe frikë,duke mos i humbur shpresat nga mëshira e Allahut(Zotit),sepse mëshira e Tij ka përfshirë gjithçka.Për këtë Allahu(Zoti)thotë në Kur’an: “Thuaj: O robërit e Mi,që keni tejkaluar caqet(kufitë)kundër vetvetes(duke kryer ligësi e gjynahe)!Mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut.Vërtet Ai është gjithnjë Falës i madh,Mëshirëplotë.”(Zumer;53)

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.