Pastrimi i zemrës

Muslimani punon dhe mundohet që të pastrojë veten e tij.Për këtë Zoti i Madhëruar ka thënë në Kur’an: “Vërtet do të shpëtojë ai i cili e pastron veten,e ka dështuar ai që poshtëroi vetveten.”(Esh-Shems: 9-10) Pastrimi i vetes arrihet me besim tek Allahu(Zoti) dhe me vepra të mira. Allahu thotë në Kur’an: “Betohem në kohën,me të vërtetë që njeriu është në një humbje të sigurtë me përjashtim të atyre që besuan,që bënë punë të mira,e që këshillojnë njëri tjetrin të jenë të durueshëm.”(El-Asër)

Profeti Muhamed alejhi selam ka thënë: “Të gjithë njerëzit e fillojnë ditën e tyre duke qenë tregtar në vetvete të tyre. Dikush e shpëton atë e dikush e shkatërron.” Nga gjërat që të afrojnë tek Zoti janë punët e mira,shpejtimi për në pendim dhe kërkimi i faljes pas çdo mëkati,sepse mëkatet i verbojnë zemrat e i shkatërrojnë ato. Zoti i Lartësuar thotë: “Jo nuk është ashtu! Por të këqijat që punuan ua mbuluan zemrat e tyre.”(El-Mutafifin:14)

Në qoftë se njeriu pendohet dhe bën punë të mira,atëherë kthehet drita në zemrën e tij.Për këtë Muhamedi a.s ka thënë “Kur njeriu bën ndonjë gjynah,në zemrën e tij shënohet një pikë e zezë; e në qoftë se i le gjynahet,pendohet dhe kërkon falje atëherë pastrohet zemra. Ndërsa në qoftë se kthehet në gjynahe,atëherë shtohen pikat e zeza në zemër derisa ia mbulojnë atë. Kjo është mbulesa që ka përmendur Allahu në fjalën e Tij: “Jo: nuk është ashtu! Por të këqijat që punuan ua mbuluan zemrat e tyre.”

Profeti Muhamed a.s na ka urdhëruar që pas çdo gjynahu të bëjmë një punë të mirë,ku thotë: “Kije frikë Allahun kudo që të jesh,pasoje të keqen me të mirë,që ta fshijë atë; dhe sillu mirë me njerëzit.”

Muslimani duhet të përpiqet ta pastrojë zemrën e tij me lutje,sepse lutja është arma më e fortë e cila mbron besimtarin nga gjynahet dhe e ndihmon atë të bëjë punë të mira,që të arrijë atë që shpreson. Për këtë i Dërguari Allahut Muhamedi a.s ka thënë në një lutje: “O Zot jepi devotshmëri zemrës sime dhe pastroje atë,se Ti je pastruesi më i mirë i tyre(zemrave).Ti je Mbrojtësi dhe Zotëruesi i tyre!”

Gjithashtu zemrat pastrohen dhe ngjallen me përkujtimin e Allahut(Zotit) të Lartësuar. Profeti Muhamed a.s ka thënë: “Gjuha jote të mos pushojë nga përmendja e Allahut.” Pra përmendja e Allahut është si shpirti për trupin. “Vërtet me përmendjen e Allahut(Zotit) zemrat qetësohen.”(Ra’d:28)

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.