Edukata me prindërit

Një vëmendje të veçantë Islami ia ka kushtuar edhe dinjitetit të prindërve,dinjitet të cilin njerëzimi nuk e ka hasur në ndonjë ligj tjetër. Allahu(Zoti) i Lartësuar e ka përmendur bamirësinë ndaj prindërve pas detyrës së adhurimit të Tij. Për këtë Allahu thotë: “Adhurojeni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë,dhe silluni mirë me prindërit.”(En-Nisa:36) Sjellja e mirë me prindërit është nga punët më të dashura tek Zoti i Madhëruar. Abdullah ibën Mesud thotë: “E pyeta Profetin Muhamed alejhi selam se cila është puna më e dashur tek Zoti? Ai më tha: “Namazi në kohën e tij.” I thashë: “Po pastaj cila vjen?” Më tha: “Sjellja e mirë me prindërit.” I thashë: “Po pastaj cila vjen?” Më tha:“Përpjeka në rrugë të Zotit.”

Islami fton të sillesh mirë me prindërit në çdo moment e në çfarëdolloj gjëndje. Urdhëron që t’u nënshtrohemi urdhrave të tyre e të mos shfryejmë e të zemërohemi me ta,madje na urdhëron që edhe fjalën “Uf!” të mos e nxjerrim nga goja si shprehje pakënaqësie. Gjithashtu urdhëron që të jemi të përulur para tyre e në marrdhënie me ta të jemi të butë,të urtë dhe jo kryeneçë. Për këtë Allahu në Kur’an thotë: “Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhurohet tjetër pos Tij,që të silleni mirë me prindërit.Nëse ndonjërit prej tyre,ose që të dy i ka kapur pleqëria nën përkujdesjen tënde,atëherë mos u thuaj “Uf!” e as mos u bëj i vrazhdë ndaj tyre,por thuaju fjalë të mira (të buta dhe respektuese). Në shenjë mëshire shtrije pranë tyre krahun përulës e respektues dhe thuaj: “Zoti im,mëshiroi ata që të dy,sikurse më rritën(dhe edukuan)kur isha i vogël”(El-Isra:23-24_

Është detyrë të sillesh mirë e të jesh bamirës ndaj prindërve,me fjalë e pune dhe në marrëdhënie me ta. T’u japësh përparësi atyre ndaj vetes dhe gruas. Të plotësosh së pari kërkesat e tyre,të mundohesh t’i kënaqësh ata edhe në qoftë se nuk janë Muslimanë,duke mos e kundërshtuar Allahun. Për këtë Allahu thotë: “E nëse ata të dy përpiqen që ti të më përshkruash Mua shok,për të cilin ti nuk ke asnjë dije,atëherë mos iu bind atyre,por,në çështjet e kësaj bote sillu mirë me ta.”(Llukman:15)

Përkushtimi ndaj tyre,ledhatimi ndaj tyre,futja e gëzimit nëzemrat e tyre,si dhe kryerja e nevojave të tyre,bëhen më të domosdoshme në moshën madhore të tyre. Për këtë Allahu thotë në Kur’an: “Të pyesin ty(o Muhamed)çfarë duhet të shpenzojmë? Thuaju: “Çfarëdo që të shpenzojnë nga mirësitë duhet të jetë për prindërit,për të afërmit,për jetimët,për të varfërit dhe për endacakët.Dhe çfarëdo të mire që të bëni,nuk ka dyshim se Allahu është i Gjithëdijshëm për të.” (El Bekare:215)

Fëmija që ka nën përkujdesje prindërit para se të niset për udhëtim duhet t’u kërkojë lejë dhe të marrë pëlqimin e tyre.Sepse,ndoshta nevojat që ata mund të kenë nuk mund të kryhen pa prezencën e tij.Ndër prindërit nëna është ajo e cila meriton një përkushtim të madh. Për këtë Profeti Muhamed a.s i ka thënë një burri i cili e ka pyetur: “Kush është njeriu që duhet të kujdesem më shumë për të?” Profeti Muhamed a.s tha: “Nëna jote.” Ai tha: “Po pas saj?” Profeti i tha: “Nëna jote.” Ai tha: “Po pas saj?” Profeti i tha: “Nëna jote.” Ai tha: “Po pas saj kush vjen?: Atëherë Profeti a.s tha: “Babai yt.” Nga sjellja e mirë me ta është të lutesh për ta pas vdekjes,të zbatosh porositë e tyre si dhe të respektosh të afërmit e tyre. Allahu thotë në Kur’an: “O Zoti im,mëshiroji ata të dy sikurse më rritën mua kur isha i vogël.”(El Isra 24) Kurse Profeti Muhamed a.s ka thënë: “nga sjelljet më të mira është të vizitosh miqtë e babait mbas vdekjes së tij.”

Shto koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.