5 MËNYRA SE SI TË EDUKONI FËMIJËT SIPAS ISLAMIT

Të jesh prind mund të jetë një përvojë jo e lehtë.  Në çdo moshë dhe fazë të jetës ne shqetësohemi për fëmijët tanë. Kur janë bebe, ne shqetësohemi nëse kanë ngrënë apo fjetur mjaftueshëm. Më pas shqetësohemi nëse do të arrijmë të flasin në kohë, të ecin mirë, të mos sëmuren. Me kalimin e viteve, shqetësohemi sesi fëmija ynë adoleshent do të përballet me presionin në shkollë, etj.

 Por, shumë nga këto shqetësime janë të parëndësishme dhe na bëjnë të humbasim vëmendjen nga  gjërat që kanë vërtet rëndësi, si për shembull nëse fëmijët tanë do të rriten si muslimanë.  Sepse në fund të fundit, misioni ynë kryesor si prindër është të mbrojmë dhe përgatisim fëmijët tanë për këtë botë dhe botën tjetër.

 Allahu na mëson në Kur’an: “O besimtarë!  Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”  [Kur’an, 66:6]

 Në këtë kohë që po jetojmë, kjo duket si një detyrë e frikshme.  Ne po jetojmë në një botë që po na mbyt në ide dhe vlera larg moralit dhe parimeve islame, që transmetohen që nga filmat vizatimorë, interneti, e deri te shkolla dhe shokët e klasës.

Por për fat të mirë, shohim se ka fëmijë që i transmetojnë vlerat e vërteta dhe moralin e pastër Islam më së miri. Duke parë së çfarë mund të ketë ndikuar që këta fëmijë të jenë, siç thotë populli “të mbarë”, vëmë re se janë disa veprime të cilat ndihmojnë, si psh:

1 – Marrja e fëmijëve me vete në xhami.

Një baba, për shembull, që vjen në xhami disa herë në ditë, i sjell fëmijët e tij praktikisht një herë në ditë me vete. Xhamia ofron një mjedis të fortë islam dhe ofron një mundësi për fëmijët që të takojnë fëmijë të tjerë që po rriten në mënyrë të ngjashme.

Në përgjithësi, ne e nënvlerësojmë fuqinë e xhamisë. Edhe nëse asgjë nuk po ndodh dhe xhamia është bosh, ka një përfitim shpirtëror vetëm duke qenë atje. Ne e dimë se ka shpërblim të jashtëzakonshëm në fenë tonë në pritjen e thjeshtë në xhami nga namazi në namaz. Ajo ka një qetësi brenda dhe na kujton vazhdimisht Krijuesin tonë, i cili forcon shëndetin tonë mendor, madje edhe atë të një fëmije.

 2. Të jesh mik i afërt me fëmijën tend.

Shohim se fëmijët e edukuar me Islam, edhe pse kanë edhe moshatarë të tyre, janë shume të afërt me prindërit e tyre.  Ata kanë zhvilluar një marrëdhënie ku ndihen rehat të ndajnë përvojat dhe të flasin me prindërit për gjithë ditën e tyre.  Pa dyshim, duhet kohë për të zhvilluar këtë nivel raporti dhe lidhjeje, por pa dyshim, kjo vjen si rezultat i kohës që kalojnë së bashku, prindërit me fëmijët. Të jesh në shoqërinë e fëmijës suaj është e rëndësishme, veçanërisht të jesh i vëmendshëm kur je me të.  Kjo na ndihmon të krijojmë afërsi dhe aftësi për të komunikuar lehtësisht.

 3 – Afrimi me fëmijë të tjerë të edukuar.

Prindërit e sukseshëm gjejnë familje me fëmijë në moshë të ngjashme, të cilët po i rrisin fëmijët e tyre në të njëjtën mënyrë dhe kalojnë kohë së bashku. Si prind, ju mund të miqësoheni me fëmijën tuaj, por nuk mund të jeni kurrë bashkëmoshatar i tij. Ata kanë nevojë për një shoqëri me bashkëmoshatarë që nuk minon vlerat dhe idealet me të cilat po rritni fëmijët tuaj. Kjo do të thotë që ju duhet të jeni të vetëdijshëm dhe selektiv se me kë po miqësohen fëmijët tuaj dhe në mënyrë ideale të luani një rol për t’u siguruar që ata po kalojnë kohën e duhur me fëmijët e duhur. Sa më herët ta vendosni këtë, aq më mirë.

Siç thotë i dërguari i Zotit, Muhamedi, paqja e Zotit qoftë me të në një hadith: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, pra le të shikojë secili prej jush se me kë shoqërohet”.

4 – Mbjellja e kulturës së leximit dhe mësimit.

Zakonisht prindërit i rregjistrojnë fëmijët në kurse fetare gjatë fundjavave ose gjatë pushimeve verore. Por, duhet kuptuar se, prindi duhet ta ketë gjithashtu edhe për veten e tij kulturën e të mësuarit gjatë gjithë jetës, sepse fëmija mëson përmes shembullit.

 Edhe nëse fëmijët tuaj ndjekin programe islame, ata kanë nevojë për edukim fetar të përforcuar në shtëpi. Ju duhet të jeni mjaftueshëm të arsimuar për t’ua mësuar fenë e tyre, për t’u dhënë atyre burime për të mësuar dhe për të bërë biseda rreth “pse-ve”, si për shembull, pse Zoti na kërkon ta adhurojmë Atë, pse ekziston e keqja, etj.

 5 – Mos i shmangni temat e vështira dhe delikate.

Shpeshherë fëmijët janë kuriozë për tema që kanë të bejnë me moralitetin, identitetin gjinor, drogërat, etj. Ekspozimi tepër i lartë i fëmijëve sot me të tilla përmbajtje, i bën ata të kenë kuriozitet për të mësuar më shumë rreth tyre.

Prandaj, ju duhet të flisni me fëmijët tuaj për këto tema në mënyrë që ata t’i kuptojnë dhe të marrin informacionin nga një burim i sigurtë.  Flisni me ta hapur dhe sinqerisht, duke mundësuar komunikim të dyanshëm.  Fëmijët tuaj duhet të ndihen rehat duke folur me ju për këto tema.

Ju duhet jo vetëm t’i kornizoni këto çështje brenda një kuadri të etikës islame, por duhet t’i ndihmoni ata të mendojnë dhe të menaxhojnë situatat në shkollë ku mund të jetë e vështirë të përballja me bashkëmoshatarët.

 Ndonëse rritja e fëmijëve në botën e sotme nuk është punë e lehtë, ne mund të ngushëllohemi duke ditur se, pasi të bëjmë më të mirën, udhëzimi përfundimtar është në duart e Allahut. Gjatë gjithë procesit të prindërimit, lutja për fëmijën është një nga faktorët më të rëndësishëm, që me lejen e Zotit të kemi sukses në këtë mision kaq të lartë. Allahu na udhëzoftë të gjithëve dhe fëmijët tanë në Rrugën e Tij të Drejtë – Amin.