Besimi në të dërguarit e Allahut

Ai është besimi i prerë se Allahu ka dërguar në çdo popull të dërguar, i cili i bënte thirrje të adhuronin Allahun të Vetëm e Pashok dhe të mohonin çdo gjë e cila adhurohet përveç Tij. Ai përfshin besimin se të gjitha ata janë së sinqertë, pohues (të shpalljes së Allahu), të virtytshëm, të urtë (në mendje), të nderuar, të ndershëm, të devotshëm, të besueshëm, të udhëzuar, udhëzues dhe se ata kanë transmetuar të gjitha shpalljet e Allahut.

Besimi në të dërguarit përfshin besimin se Allahu mori për të dashur Ibrahimin dhe Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem; se i ka folur Musait realisht; se e ka ngritur Idrisin në një pozitë të lartë; se Isai është robi dhe i dërguari Tij, dhe se ai është fjala e Tij që e ka hedhur mbi Merjemin dhe shpirt prej Tij.

Ai përfshin besimin se Allahu i ka ngritur në grada disa të dërguar mbi disa të tjerë dhe se Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është zotëriu i njerëzimit Ditën e Gjykimit pa treguar krenari.

Ai përfshin besimin se thirrja e tyre, prej të parit deri tek i fundit përputhet në bazën e fesë, e ajo është njësimi i Allahut në uluhijeh, rububijeh dhe emrat dhe cilësitë e Tija.

Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Padyshim se feja (e vërtetë dhe e pranuar) tek Allahu është Islami.” (Ali Imran: 9).

Gjithashtu ka thënë: “Dhe kushdo që kërkon ndonjë fe tjetër përveç Islamit, ajo kurrë nuk do t’i pranohet atij dhe në Botën e Pastajme do të jetë prej të humburve.” (Ali Imran: 85).

Allahu i Madhëruar ka përcjellë fjalën e Nuhut alejhis-selam e ka thënë: “Unë jam urdhëruar të jem prej muslimanëve (prej atyre që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut).” (Junus: 72).

Gjithashtu ka treguar fjalën e Musait alejhi selam: “Dhe Musai tha: “O populli im! Në qoftë se ju keni besuar në Allahun, atëherë i vini shpresat tek Ai, nëse jeni Muslimanë (ata që i nënshtrohen Vullnetit të Allahut).” (Junus: 84).

Gjithashtu na ka njoftuar për Sulejmanin se çfarë i tha Belkisa: “Ajo tha: “Zoti im! Me të vërtetë që e paskam gabuar veten dhe unë i nënshtrohem në Islam (si muslimane) bashkë me Sulejmanin, Allahut, Zotit të Aleminit (Zotit të Gjithësisë dhe gjithçkaje që gjindet në të, Zotit të  njerëzve dhe të xhindeve).” (Neml: 44).

Gjithashtu ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ai (Allahu) ka përcaktuar e urdhëruar për ju të njëjtën Fe (Besimin e Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) të cilën Ai e pat urdhëruar për Nuhun, dhe atë të cilën Ne ta kemi frymëzuar ty (O Muhammed), dhe atë të cilën Ne e urdhëruam për Ibrahimin, Musain dhe Isanë, duke thënë që ju të vendosni Fenë dhe të mos bëni ndarje në të (në degë e parti). I padurueshëm për Mushrikët (mosbesimtarët e Njësisë së Allahut të çfarëdo lloji qofshin) është ai (Besimi i Pastër Islam në Një Zot të Vetëm) tek i cili ti (O Muhammed) i fton ata. Allahu zgjedh për Veten e Tij atë që do Ai dhe udhëzon drejt Tij atë që i kthehet Atij me pendim e nënshtrim.” (Shura: 13).

Numri i të dërguarve është 315, ndërsa i pejgamberëve 124000. Kjo është transmetuar në rrugë të saktë në hadithe prej të Dërguarit të Allahut salAllah alejhi ue selem nga hadithi i Ebu Umames dhe hadithit të Ebu Dherrit (shiko: “Zinxhiri i haditheve të sakta” të dijetarit të madh Muhamed Nasirud-din El-Albani 6/358, nr.2668.).

Ndryshimi mes të dërguarit (resul) dhe pejgamberit (nebij) është se pejgamberi është ai që i shpall Allahu dhe ai e përcjell atë shpallje. Ai quhet i dërguar nëse dërgohet te një popull që kundërshtojnë urdhrin e Allahut me qëllim që t’i përcjellë mesazhin e Tij (Allahut). Pejgamber është ai që punon me legjislacionin e atij që është dërguar para tij dhe nuk dërgohet te dikush për t’i përcjellë mesazhin e Allahut. Ai nuk është i dërguar (shiko: “Profecitë” te Shejkhul Islamit fq.255).

Ka thënë Muxhahidi, Allahu e mëshiroftë: “Pejgamber (nebij) është ai që i flitet dhe i shpallet dhe nuk dërgohet.”

Duke u bazuar në fjalën e tij, dalim në përfundimin se çdo i dërguar është pejgamber dhe jo çdo pejgamber është i dërguar.

Allahu i Madhëruar na ka përmendur disa prej tyre si: Ademin, Nuhun, Idrisin, Hudin, Salihun, Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin, Jusufin, Lutin, Shuajbin, Junusin, Musain, Harunin, Iljasin, Zekerijën, Jahjën, Eljesein, Dhulkiflin,  Daudin, Sulejmanin, Ejubin, dymbëdhjetë bijtë e Jakubit pa emra, Isain dhe Muhamedin salAllahu alejhim ue seleme exhmei’jn.

Allahu i Madhëruar nga ka njoftuar aq sa na mjafton nga lajmet dhe tregimet e tyre si mësim dhe këshillë. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Ka të Dërguar që Ne t’i kemi përmendur më parë, ka edhe të Dërguar që Ne nuk t’i kemi përmendur ty,- dhe Musait Allahu i foli drejtpërdrejtë me fjalë.” (Nisa: 164).

I besojmë të gjithë. Ata që janë përmendur i besojmë me hollësi, ndërsa ata që janë përmendur në përgjithësi, i besojmë në mënyrë të përgjithshme.

Gjithashtu besojmë se të gjithë të dërguarit janë njerëz, të krijuar e nuk meritojnë asnjë nga cilësitë e rububijes (cilësitë e Zotit – Krijuesit). Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “Unë jam vetëm një njeri si edhe ju, (por) mua më është frymëzuar e më është shpallur se i adhuruari juaj është Një i Adhuruar i Vetëm, Allahu; kështu pra, kushdo që shpreson për Takimin me Zotin e tij, le të punojë mirësi e drejtësi dhe të mos i bashkojë askënd për shok në adhurim Zotit të tij.” (Kehf: 110).

Gjithashtu ka thënë: “Të Dërguarit u thanë atyre: “Ne nuk jemi veçse qenie njerëzore si edhe ju, por Allahu dhuron Mëshirën e Tij mbi atë që do nga robët e Tij. Nuk është për ne që t’ju sjellim ndonjë fuqi bindëse ose provë të qartë, por veçse me Lejen dhe Vullnetin e Allahut dhe tek Allahu le të mbështeten e t’i varin shpresat besimtarët.” (Ibrahim: 11).

Gjithashtu ka thënë: “Dhe Ne asnjëherë nuk çuam para teje (O Muhammed) ndonjë të Dërguar, veçse edhe ata të hanin ushqime dhe të shëtisnin në tregje. Dhe Ne i kemi bërë disa prej jush sprovë për të tjerë: A do të keni durim? Dhe Zoti yt është gjithnjë Gjithëvëzhgues (për çdo gjë).” (Furkan: 20).

Gjithashtu ka thënë: “Thuaj (O Muhammed): “Unë nuk ju them se unë kam Thesaret e Allahut, as edhe që e di Gajbin (të fshehtën, të panjohurën); nuk ju them as edhe se unë jam melek. Unë vetëm ndjek çfarë më shpallet mua me frymëzim hyjnor.” Thuaju: “A janë njësoj si i verbëri dhe ai që sheh? Atëherë a nuk do të kuptoni pra?” (Enam: 50).

Gjithashtu ka thënë: “Thuaj    (O    Muhammed):    “Unë    nuk    kam    asnjë fuqi përfitimi  ose  dëmtimi  për  veten  time,  por  vetëm  si  të dojë Allahu. Po të kisha dijen e Gajbit (të së fshehtës), atëherë do të kisha shumëfishuar e shtuar për veten time një bollëk begatie dhe asnjë e keqe nuk do të më prekte. Unë jam vetëm një këshillues dhe përgëzues për popullin që beson.” (A’raf: 188).

Ne besojmë se ata janë robër prej robërve të Allahut. Allahu i ka nderuar ata me mesazhin e Tij. Ai i ka cilësuar me të qenurit robër të Tij në pozitat më të larta të tyre dhe atëherë kur i ka lavdëruar.

Gjithashtu besojmë se Allahu i Madhëruar i ka përfunduar shpalljet me shpalljen e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai e ka dërguar për të gjithë njerëzit dhe xhindët. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Thuaj (O Muhammed): “O njerëz! Vërtet që unë jam sjellë tek ju të gjithë si i Dërguar i Allahut – (Allahut) të Cilit i takon mbisundimi i qiejve dhe i tokës.” (A’raf: 158).

Gjithashtu ka thënë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (O Muhammed) veçse si përkujtim mëshire për gjithë Alemin (për njerëzit, për xhindet dhe për gjithë ç’është krijuar në gjithësi).” (Enbija:  107).

Gjithashtu ka thënë: “Dhe Ne të kemi dërguar ty (O Muhammed) veçse përgëzues dhe këshillues për gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Sebe: 28).

Allahu i Madhëruar i ka marrë premtimin pejgamberëve se nëse do ta arrinin kohën e pejgamberit tonë Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem do ta pasonin atë. Ky është një argument i qartë se shpallja e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është shpallja e fundit dhe se është shfuqizuese e çdo shpalljeje përpara. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe (përkujto) kur Allahu mori premtimin e Pejgamberëve, duke u thënë: ”Merrni gjithçka që Unë ju kam dhënë nga Libri dhe nga Hikmeti (dituria), se pas jush do të vijë ndër ju një i Dërguar (Muhammedi) që të vërtetojë çfarë keni ju në duar, (dhe atëherë) ju duhet ta besoni dhe duhet ta ndihmoni atë.” (Më pas Allahu u) tha: “A pajtoheni me këtë dhe a do ta përkrahni Premtimin Tim (të cilin Unë po e vendos me ju)?” Ata thanë: “Ne pajtohemi.” Ai u tha: “Atëherë dëshmoni ju, dhe Unë jam me ju prej dëshmuesve (për këtë).”. Atëherë kushdo që shmanget nga e vërteta pas kësaj, ata do të jenë Fasikunë (të pabindur, të panënshtruar, të cilët i largohen bindjes ndaj Allahut).” (Ali Imran: 81-82).

Të dërguarit salauatuLlahi ue selemuhu alejhim exhmei’jn kanë përgëzur (popujt e tyre) për shpalljen e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe (kujto) kur Isai, biri i Merjemes tha: “O Bijtë e Israilit! Unë jam i Dërguari i Allahut tek ju duke  vërtetuar Teuratin që ka ardhur para meje dhe jam përgëzues i një të Dërguari që do të vijë pas meje, – emri i të cilit do të jetë Ahmed!” Por kur ai (Ahmedi, d.m.th. Muhammedi) erdhi tek ata me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e qartë.” (Saff: 6).

Gjithashtu ka thënë: “Dhe na urdhëro ne për mirësi në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Vërtet që ne të jemi kthyer Ty.” Ai (Allahu) tha: “(Sa për) Ndëshkimin Tim, Unë godas me të kë dua Unë, ndërsa Mëshira Ime përfshin gjithçka. Këtë (Mëshirë) Unë do ta përcaktoj për ata që janë Muttekunë (të përkushtuar në Besimin e Pastër Islam) dhe që japin Zekatin dhe për ata që besojnë në Ajetet Tona (provat, shenjat, shpalljet). Ata të cilët ndjekin të Dërguarin, Pejgamberin që s’di as të shkruajë e as të lexojë (Muammedin) të cilin e gjejnë të shkruar në Teurat  që e kanë në duart e tyre dhe në Inxhil ” (A’raf: 156- 157).

Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Pasha Atë të Cilin në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Cilido që dëgjon për mua prej këtij umet (popull) qoftë hebre apo i krishterë, pastaj vdes duke mos besuar atë që jam dërguar me të, do të jetë prej banorëve të zjarrit.”

Ai që përgënjeshtron se shpallja e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i drejtohet të gjithë njerëzve ka mohuar të gjithë të dërguarit, qoftë edhe të dërguarin e tij që pretendon se ai e beson dhe e ndjek atë. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Populli i Nuhut i përgënjeshtroi të Dërguarit.” (Shuara: 105).

Allahu i Madhëruar e konsideroi përgënjeshtrues të të gjithë të dërguarve edhe pse nuk ishte dërguar kush para Nuhut.

Gjithashtu, besojmë se nuk ka pejgamber pas Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ai që pretendon pejgamberllekun pas tij ka dalë nga Islami. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “…Por ai ështe i Dërguari i Allahut dhe i fundmi (vulë) i Pejgamberëve.” (Ahzab: 40).

Transmetohet në Sahihun e Muslimit nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu), nga i Dërguari  i Allahut salAllahu alejhi  ue selem se ka thënë:

“Më është dhënë prioritet mbi pejgamberët me gjashtë gjëra:

1- Më është dhënë përmbledhja e fjalëve (përdorimi i pak fjalëve me shumë kuptim-shp).

2- Jam ndihmuar me frikën (para se të sulmonte një vend, banorët e tij i zinte paniku para se të vinte i Dërguari i Allahu sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

3- Më është lejuar plaçka e luftës.

4- Toka është bërë për mua vendfalje dhe pastrim (pra, lejohet namazi kudo në të dhe merret tejemum –përdorja e dheut- në vend te abdesit në rastet e nevojës-shp).

5- Jam dërguar për të gjitha krijesat. 6-Nuk ka pejgamber pas meje.”

Ai që përgënjeshtron shpalljen e ndonjërit prej pejgamberëve dhe të dërguarve ka dalë nga Islami me unanimitetin e muslimanëve. Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Sigurisht, ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe të Dërguarit e Tij dhe që duan të bëjnë dallime mes besimit në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij (duke e besuar Allahun dhe duke mos i besuar të Dërguarit) duke thënë: “Ne besojmë disa prej tyre, por i mohojmë të tjerët” dhe që duan të bëjnë për vete një rrugë të ndërmjetme, këta në të vërtetë janë mosbesimtarë dhe për mohuesit Ne kemi përgatitur ndëshkim poshtërues. Dhe atyre të cilët besojnë në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij dhe nuk bëjnë dallim mes asnjërit prej tyre (të Dërguarve), Ne do t’u japim atyre shpërblimet e tyre dhe Allahu është vazhdimisht Falës i Madh, kurdoherë Mëshirëplotë.” (Nisa: 150-152).