Çfarë është lutja e istihares?
Istihare në përgjithësi i referohet duasë apo lutjes që bëhet për të kërkuar udhëzimin e Zotit në lidhje me një çështje të caktuar.
Pse bëhet lutja e istihares?
Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë me të) ka thënë: “Kur dikush prej jush dëshiron të vendosë për një punë me rëndësi, le t’i falë dy rekate (nafile) namaz dhe pastaj le të thote (duanë e istihares)”
Kur bëhet fjalë për të ardhmen, vetëm Allahu e di se çfarë ka përpara, prandaj duaja e istihares është një mjet për të kërkuar udhëzimin e përsosur dhe unik të Allahut në drejtimin e duhur të veprimit për një çështje të caktuar, për të cilën njeriu e ka të vështirë të vendosë vetë. Por, kjo nuk përfshin detyrimet ose ndalimet të cilat janë të qarta, psh.: nuk behet lutja e istihares se a duhet të agjërojmë Ramazanin apo jo, apo a duhet të bëjmë një vepër të ndaluar fetarisht apo jo.
Në çdo rast, duaja është një mjet me të cilin një musliman mund të arrijë paqen shpirtërore dhe të ndihet i qetë duke ditur se cilido qoftë rezultati i vendimit të tij, ai gjithmonë do të jetë rezultati më i mirë i mundshëm, sepse është konsultuar me të Gjithëditurin, Zotin e Gjithësisë.
Lutja e Istihares është një shprehje e nivelit të besimit që një besimtar ka tek Allahu, i Gjithëdijshmi, i Gjithëfuqishmi. Kjo sepse, Istiharja është t’i kërkosh Allahut udhëzim në zbulimin e asaj që Ai tashmë ka vendosur të ndodhë.
Sa herë mund ta falim namazin e istihares?
Duaja dhe namazi i istihares mund të përsëriten për të njëjtën çështje disa herë deri sa personit t’i qartësohet vendimi që do të marrë. Kjo gjë mund të vijë edhe nëpërmjet konsultimit me njerëz të besueshëm, të cilët Zoti i bën sebep për të lehtësuar vendimmarrjen.
Kur falet namazi i istihares?
Namazi i Istihares mund të falet në çdo kohë, përveç kohëve të ndaluara të cilat janë: koha gjatë lindjes së diellit deri 30 minuta pas, koha kur dielli është në kulm (rreth 10-15 min para ezanit të drekës), koha pas namazit të ikindisë deri në aksham.
Si bëhet lutja e istihares?
I dërguari i Zotit na ka këshilluar, që në raste dilemash, të falim dy rekate namaz nafile dhe në fund të namazit të lëxojmë duanë e mëposhtme:
Duaja e Istihares
“All-llahume inní estehíruke bi ‘ilmike ue estakdiruke bi kudretike ue es`eluke min fadlikel ‘adhim, fe inneke takdiru ue la akdiru, ue ta’lemu ue la a’ëlemu ue ente al-lámul gujúb. All-llahume in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru (e emërton nevojën që ke) hajrun lí fi diní ue me’áshí ue ‘ákibeti emrí ue ‘áxhilihi ue áxhilihi fakdirhu lí ue jessirhu lí thumme barik lí fihi. Ue in kunte ta’ëlemu enne hadhel emru (e emërton nevojën e tij) sherrun lí fi diní ue me’áshi ue ‘ákibeti emri ue ‘áxhilihi ue áxhilihi, fasrifhu anní uesrifní anhu uakdir lí el-hajre hajthu kane thumme erdiní bihi.”
“O Zot, me diturinë Tënde kërkoj të mirën! Kërkoj ndihmë prej fuqisë Sate, kërkoj prej të mirave të Tua të shumta, sepse Ti je i Gjithëfuqishëm e une jam i dobët, Ti di çdo gjë e unë nuk di, Ti je Ai që i di të fshehtat. O Zot, nëse kjo punë e imja (emërton këtu dëshirën, hallin, etj.) është mirësi për fenë dhe jetën time, për kohën e tashme dhe të ardhmen, bëj të mundshme që të realizohet, lehtëso dhe beko! E nëse kjo punë është e dëmshme për fenë dhe jetën time, për të tashmen të ardhmen dhe për në ahiret, largoje prej meje dhe më largo mua nga ajo, më përcakto hajrin kudo qoftë, pastaj më bëj të kënaqur me të!”