Çrregullimi obsesiv-kompulsiv (OCD) është më shumë se një gjendje e shëndetit mendor, është një luftë e përditshme që prek miliona njerëz në mbarë botën. Menaxhimi i OCD mund të jetë sfidues dhe i zgjatur në kohë. Le të shohim këndvështrimin dhe qasjen e Islamit ndaj OCD, se si mësimet islame mund të ofrojnë ndihmë dhe strategji praktike për përballimin e tij.
Çfarë është OCD?
OCD ose çrregullimi obsesiv-kompulsiv karakterizohet nga mendime të vazhdueshme të padëshiruara (obsesione) dhe sjellje të përsëritura (kompulsive) që një individ ndihet i shtyrë t’i kryejë. Në kontekstin e Islamit, OCD mund të shfaqet në mënyra që ndikojnë edhe praktikat fetare, të tilla si abdesi i persëritur para namazit ose lutjet e përsëritura për shkak të dyshimit për korrektësinë e tyre. Kjo gjendje mund t’i referohet termit fetar uesueseh.
Sipas perspektivës Islame shëndeti mendor është shumë i rëndësishëm, sepse Islami promovon mirëqenien gjithëpërfshirëse që përfshin shëndetin fizik, mendor dhe shpirtëror. Shumë ajete kuranore dhe hadithe të Profetit (paqja e Zotit qoftë me të) theksojnë rëndësinë e shëndetit mendor.
Në Kur’an Allahu thotë:
“يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اسْتَعِينُوا بِالصَّبْرِ وَالصَّلاةِ ۚ إِنَّ اللَّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ”
“O ju që besuat, kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz. Vërtet, Allahu është me durimtarët.” (Kur’an 2:153)
Ky ajet vë në dukje rëndësinë e durimit dhe lutjes, të cilat janë shumë të rëndësishme për ata që kanë të bëjnë me sfidat e shëndetit mendor.
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) gjithashtu theksoi rëndësinë e kërkimit të trajtimit mjekësor:
«تَداوَوْا، فَإِنَّ اللهَ عَزَّ وَجَلَّ لَمْ يَضَعْ دَاءً إِلَّا وَضَعَ لَهُ دَوَاءً»
“Kërkoni mjekim, sepse Allahu ka krijuar shërim për çdo sëmundje.” (Sunen Ebi Daud 3855)
Ky hadith inkurajon muslimanët që të kërkojnë ndihmë mjekësore për sëmundjet e tyre, duke përfshirë çështjet e shëndetit mendor, duke theksuar se kërkimi i trajtimit nuk është në kundërshtim me besimin.
Një hadith tjetër thotë:
“Për çdo sëmundjen Allahu ka zbritur edhe ilaçin e saj.” (Sahih Buhariu 5678)
Këto mësime nxjerrin në pah perspektivën islame se trajtimi i shëndetit mendor është pjesë e obligimit të muslimanit për të ruajtur mirëqenien e tij të përgjithshme. Trupi ynë është amanet prej Zotit dhe se duhet të tregojmë kujdes ndaj tij në çdo aspekt.
Roli i besimit në tejkalimin e OCD
Besimi mund të jetë një burim i fuqishëm force dhe qëndrueshmërie për besimtarin që mund të jetë i sprovuar me OCD. Mësimet islame promovojnë mirëqenien mendore dhe ofrojnë udhëzime për menaxhimin e stresit dhe ankthit. Për shembull, Kur’ani i inkurajon besimtarët që të praktikojnë durimin dhe namazin si një mjet për të përballuar vështirësitë.
Durimi, ose sabri dhe namazi janë parime qendrore të Islamit që mund të ofrojnë rehati dhe forcë për ata që kanë të bëjnë me OCD. Namzi i rregullt mund të shërbejë si një praktikë bazë që ndihmon në vendosjen e një regjimi fizik dhe shpirtëror, ndërsa durimi ndihmon në tejkalimin e sfidave të lidhura me OCD.
Disa praktika për të larguar OCD
1. Kërkimi i njohurive dhe të kuptuarit
Edukimi i vetes për OCD është hapi i parë drejt menaxhimit të këtij çrregullimi. Është e rëndësishme të kuptohet se ky është thjesht një çrregullim i korrigjueshëm i sjelljes dhe nuk ka të bëjë me dështimin e njeriut si besimtar. Gjithashtu, kërkimi rreth metodave të menaxhimit të OCD që mund të minimizojnë ankthin dhe stresin si edhe ndjenjën e fajësisë që lidhet me të.
2. Përfshirja e praktikave islame
Integrimi i praktikave islame si namazi i rregullt, leximi i Kuranit dhe dhikri (përkujtimi i Allahut) janë qetësuese dhe ndihmojnë në menaxhimin e simptomave të OCD. Këto praktika mund të shërbejnë gjithashtu si një formë e ndërgjegjësimit dhe lehtësimit të stresit.
- Lutu dhe mbështetu tek Allahu i Gjithëfuqishëm, sepse këto dy faktorë do të të ndihmojnë në reduktimin e ankthit dhe të ofrojnë rehati shpirtërore.
- Thuaj “Eudhu bil-lahi minesh-shejtani rraxhim” sa herë që të vjen në mendjen që të përsërisësh një veprim që sapo e ke kryer. Gjithashtu mund të lexosh suren En-Nas, e cila është një dua për mbrojtjen nga vesveset.
- Largohu menjëherë pasi të kesh kryer një veprim, të cilin ke tendencë ta përsërisësh. Psh., largohu menjëherë nga tualeti pasi ke marrë abdes.
- Ji i bindur se Zoti e pranon veprën tënde të kryer me sinqeritet dhe mos e lejo shejtanin të luajë me mendjen tënde duke të bërë të mendosh se abdesi ose namazi yt nuk janë të sakta.
- Lexo rregullisht, rregullisht, çdo ditë lutjet e mëngjesit dhe mbrëmjes sepse në të ka lutje që të mbrojnë nga cytjet e shejtanit dhe të ruajnë shëndetin fizik dhe mendor.
3. Rrethimi nga njerëz që të mbështesin
Të kesh një sistem të fortë mbështetjeje është jetike. Kjo përfshin familjen, miqtë dhe mësuesit fetarë që e kuptojnë problemin tënd dhe mund të ofrojnë mbështetje emocionale dhe shpirtërore.
4. Konsultimi me një terapist
Një terapist mund të ofrojë kujdes profesional dhe të udhëzojë në praktikat e duhura të menaxhimit të situatës. Është e këshillueshme që në rastet kur njeriu mund ta ketë të vështirë t’i tejkalojë i vetëm, të kërkojë ndihmë më të specializuar dhe një gjë e tillë nuk bie aspak ndesh me normat e besimit Islam.
Tejkalimi i OCD është një udhëtim që kërkon durim, mirëkuptim dhe mbështetje. Përfshirja e mësimeve islame dhe kërkimi i ndihmës nga një terapist mund të ofrojë një qasje gjithëpërfshirëse për menaxhimin e kësaj gjendje. Duke kombinuar praktikat fetare me teknikat terapeutike, individi mund të arrijë një shëndet më të mirë mendor dhe një lidhje më të fortë shpirtërore.
Allahu na dhëntë të gjithë forcën dhe burimet për të kapërcyer sëmundjet.