3 llojet e sprovave të përmendura në Kur’an
Fjala sprovë ose fitne në arabisht, nga ana gjuhësore do të thotë pastrim dhe e njëjta fjalë përdoret për të emërtuar procesin e pastrimit të metaleve nga papastërtitë përmes shkrirjes.
Megjithëse në gjuhen arabe sprova emërtohet edhe me fjalë të tjera, si ibtila, intihan etj., fjala më e përdorur është fitne që përdoret për sprovën që të godet në thellësi, një sprovë që kalon përmes dhimbjes dhe vështirësive.
Në Kur’an janë përmendur 3 lloje sprovash:
- Sprova nga Allahu
“…dhe të vumë në sprova të shumta…” [Kur’an 20:40]
Në këtë ajet, Allahu përmend se si e begatoi Musain a.s me mrekulli dhe mirësi të shumta, por gjithashtu edhe e sprovoi shumë. Allahu përmend në Kur’an se sprovoi edhe familjen e faraonit.
Sprova e Allahut është për të gjithë, prandaj muslimanët që e kuptojnë qartë urtësinë e sprovës, nuk pyesin pse disa njerëz vuajnë dhe disa jo. Profetët sprovohen, jobesimtarët gjithashtu, gjithësecili në formën që Zoti e përcakton me urtësinë e TIj.
2. Sprova nga njerëzit
“Pa dyshim, ata që i sprovojnë besimtarët dhe besimtaret e nuk pendohen, i pret dënimi i Xhehenemit dhe dënimi me djegie.” [Kur’an 85;10]
“O Zoti ynë, mos na bëj sprovë për jobesimtarët dhe falna ne, o Zot. Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti.” [Kur’an 60;5]
Kjo ndodh kur njerëzit i japin të drejtë vetes të bëjnë krime, padrejtësi, shkatërrime, ndaj njerëzve të tjerë. Persekutojnë, mashtojë, vjedhin dhe vrasin të tjerët. Kjo gjë është padyshim një padrejtësi e madhe për të cilën Zoti ka premtuar se do ta gjykojë me drejtësinë e Tij absolute.
Shpeshherë, sprova vjen jo vetëm nga njerëzit e këqinj, por edhe nga njerëzit e afërt, familja, që konsiderohet si vendi ku njeriu duhet të gjejë sigurinë dhe qetësinë më të madhe.
“O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre! Por, nëse nuk i vini re fyerjet e tyre dhe ua falni, ta dini se Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë Pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë për ju. Allahu ka shpërblim të madh.” [Kur’an 64; 14-15]
3. Sprova qe i shkaktojmë vetes
“A nuk kemi qenë me ju?” – do të thërrasin ata (hipokritët) – “Po, – do t’u përgjigjen, – por ju e çuat veten në tundim, pritët, dyshuat dhe u mashtruat nga vetë dëshirat tuaja të kota, derisa arriti urdhri i Allahut, e djalli ju mashtroi për Allahun!” [Kur’an 57;14]
Shumë here, njeriu qëndron i vetëdijshëm në humbje dhe pakujdesi dhe e sprovon veten duke e lejuar të bëjë gjërat e ndaluara dhe të neglizhojë ato që Zoti i ka obliguar. Kjo është një padrejtësio e madhe që njeriu i bën vetes së tij.
Prandaj, një nga lutjet e rekomanduara kur njeriu bën gjynahe dhe pendohet, është lutja që bëri Profeti Junus a.s, kur kuptoi se u ndëshkua për shkak se e braktisi popullin e tij.
“Nuk ka Zot tjetër përvec Allahut, i Patemeta je Ti o Zot, vërtetë, unë i bëra padrëjtësi vetes sime.”
Çfarë ndodh me njerëzit që nuk e kuptojnë drejtë çështjen e sprovës
“Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë Allahun”. Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë përndjekjen prej njeriut njësoj si dënimin e Allahut. Ndërsa, kur u vjen fitorja prej Zotit tënd, ata, me siguri – do të thonë: “Ne kemi qenë me ju”. Vallë! A nuk e di Allahu më së miri se ç’ka në zemrat e çdokujt.” [Kur’an 29;10]
Kur njerëzit nuk e kuptojnë siç duhet cështjen e sprovës, fajësojnë Allahun për të këqijat që i ndodhin për shkak të padrejtësisë që ushtrojnë njerëzit e tjeerë mbi ta, duke e ngatërruar sprovën nga njerëzit me atë që i vjen nga Zoti dhe pyesin: “Pse Allahu i lejon të ndodhin këto gjera? Pse Allahu nuk vendos drejtësi dhe t’i ndalojë këto gjëra të ndodhin? A nuk mundet Allahu t’i zhdukë njëherë e përgjithmonë të këqijat dhe të këqinjtë?
E ilustruar në një shembull të thjeshtë: Dikush ju godet dhe menjëherë kthehet dhe thotë, ky ishte caktimi i Zotit për ty, unë s’kam faj. Çdo gjë ndodh me caktimin e Zotit, mos më fajso mua, fajso Allahun që kishte këtë përcaktim për ty.
Në fakt, nuk është kështu, nëse Allahu e lejon diçka të ndodhë, nuk do të thotë se Allahu e dëshiron këtë gjë, madje edhe zemërohet me ngajrje të tilla.
Ai ja dha njeriut lirinë që të zgjedhi për veprimet e veta, edhe pse e di se këto veprime do ta hidhërojnë Atë. Madje e dinte përpara se njeriu të vinte në këtë botë, gjë që kur e mësuan melaiket, pyetën pa e ditur urtësinë e Allahut për këtë:
Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak në të, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini” [Kur’an 2;30]
Por, Allahu e dinte se qëllimi i krijimit ishte më i lartë sesa kuptonin melaiket.
Njeriu është e vetmja krijesë me vullnet të lirë, e vetmja krijesë që arrin përmes dijes dhe kërkimit shkencor të kuptojë pse dhe si funksionon universi dhe kështu e beson dhe i bindet Zotit duke e kuptuar Madhështine e Tij si krijues dhe ligjvënëns.
Tani le t’i përgjigjemi pyetjes përse Allahu lejon padrejtësitë të ndodhin?
Allahu na dha secilit prej nesh lirinë për t’ju bindur ose mos iu bindur Atij, lirinë për t’i bërë keq njëri-tjetrit.
Para se të pyesësh, se pse Zoti i lejon këto padrejtësi, krime, pse Zoti nuk i ndalon tiranët, pushtuesit, duhet të kuptosh, se nëse ti do që Allahu të ndërhyjë sa herë ka padrejtësi, a je dakort që Allahu të ndërhyjë gjithashtu sa herë që ti muk i bindesh Allahut? Apo mendon se veprimet e tua të padrejta janë të vogla dhe të papërfillshme?! Ne të gjithë gabojmë dhe i bëjmë padrejtësi të tjerëve, me ose padashje.
Kush jemi ne që të vendosim limitet, se çfarë quhet veprim pak i keq dhe çfarë quhet shumë i keq dhe i denjë për ndërhyrjen hyjnore.
Atëherë, kur ndodh një fatkeqesi, një padrejtësi, pse Allahu e lejon?
Sepse, Allahu na ka vendosur në sprovë me veten dhe në sprovë me njëri-tjetrin. Edhe krimineli, edhe viktima janë në sprovë. Është e qartë se krimineli ka dështuar në këtë sprovë, por po viktima?
Sprova e tij është të reagojë pa kundërshtuar Allahun, pa shprehur pakënaqësi ndaj Tij. Të rikuperohet duke shpresuar kënaqësinë e Allahut në këtë sprovë.
Kjo është të besosh me bindje në gajbin (të fshehtën), në urtësinë e Allahut, të thuash se Allahu nuk më ka krijuar pa qëllim, dhe çdo gjë që Ai e lejon të më ndodhë e ka një qëllim.
Por, kur do të vendoset drejtësia absolute?
“Ditën, kur çdokush do ta gjejë përpara atë që ka punuar mirë dhe atë që ka punuar keq, duke dëshiruar që midis tij dhe së keqes së tij, të ketë largësi të madhe. Allahu ju paralajmëron që t’i ruheni Vetes së Tij. Allahu është i Butë e i Mëshirshëm me robërit e Vet.” [Kur’an 3;30]
“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata! [Kur’an 45;21]
“Për të gjithë do të ketë shkallë të caktuara, sipas asaj që kanë punuar, në mënyrë që Allahu t’i shpërblejë për veprat e tyre. Askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” [Kur’an 46;19]