Të njohim Islamin. Cilat janë 5 shtyllat e Islamit?

Shtyllat e Islamit janë pesë praktikat kryesore të adhurimit të cilat mbajnë besimin e një muslimani ashtu si shtyllat mbajnë ndërtesën.

Pesë shtyllat e Islamit janë përmendur nga profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, ku thotë: “Islami u ndërtua mbi pesë (shtylla), deklarimi i shehadetit, falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i Ram,azanit dhe kryerja e haxhit.” Sahih Muslim.

Qëllimi i pesë shtyllave të Islamit:

Qëllimi i pesë shtyllave është të na bëjë të përmbushim qëllimin tonë në jetë: adhurimin e Zotit të vetëm, Allahut. All-llahu është i vetmi që meriton adhurimin, Ai është i vetmi “Zot”. Ky është qëllimi ynë në jetë. Kështu jeta jonë mund të ketë kuptim dhe paqe. Pesë shtyllat janë mënyra se si e përmbushim këtë.

1. Shehadeti (Dëshmia)

Shehadet do të thotë Dëshmi. Është të dëshmosh se Allahu është Zoti i Vetëm, i denjë për adhurim, dhe Muhamedi është profeti dhe i dërguari i Tij. Shahadeti është porta për të hyrë në e Islam.

Shehadeti në gjuhën arabe:

“Esh’hedu en la ilahe il Allah, ue esh’hedu enne Muhammeden abduhu ue resuluhu.”

Përkthimi:

Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij.

2. Namazi

Namaz do të thotë lutje. Namazi është një obligim i caktuar nga Zoti për çdo musliman në moshë madhore si një mënyrë për të krijuar një lidhje të fortë mes njeriut dhe Krijuesit të tij.

Forma, mënyra dhe kohët e namazit janë të përcaktuara në Kur’an dhe në hadithet e Të Dërguarit, Muhamedit (paqja e Zotit qoftë me të).

Janë pesë namaze në ditë, të cilat çdo besimtar obligohet t’i kryejë për të dëshmuar me vepra besimin e tij në Zot dhe për të krijuar një lidhje më të fortë me Zotin e tij.

3. Zekati (lëmosha)

Çfarë është Zekati?

Zekati është një nga pesë shtyllat mbi të cilat ngrihet Islami. Ai realizohet duke dhënë një pjesë të caktuar të pasurisë me qëllimin e bindjes dhe adhurimit ndaj Allahut të Lartësuar.

Obligimi për të dhënë zekatin është shprehur qartë shumë herë përmes ajeteve Kur’anore dhe haditheve të Profetit Muhamed, paqja e Zotit qoftë me të.

“Faleni namazin dhe jepeni zekatin” Kur’an 2:110

Kush obligohet të japë zekatin?

Zekati është detyrim për personat në moshë madhore, mendërisht të shëndoshë, të lirë, të mos kenë borxhe dhe përveç përballimit të nevojave të veta dhe të familjes, të zotërojë pasuri në vlerën e përcaktuar (nisabi), vlerë e cila ka mbushur një vit pa u prekur.

 “Lëmosha është vetëm për të varfërit, për nevojtarët dhe për të punësuarit për të dhe për bashkimin e zemrave [për Islamin] dhe për çlirimin e robërve [ose skllevërve] dhe për ata që janë në borxhe dhe për çështjen e Allāhut dhe për udhëtarin [e bllokuar] – një detyrim [i imponuar] nga Allāhu. All-llahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” SureTeubeh, 60

4. Agjërimi i Ramazanit

Agjërimi do të thotë abstenim, është abstenim për hir të Allahut nga gjërat që normalisht janë të lejuara. Agjërimi këtu do të thotë të abstenosh nga ngrënia, pirja ose marrëdhëniet bashkëshortore gjatë ditës, nga agimi deri në perëndim të diellit.

Agjërimi është një adhurim i cili i është obliguar edhe profetëve të mëparshëm.

“O ju që besuat, obligimi juaj është agjërimi ashtu siç u ishte urdhëruar atyre që ishin para jush, që të bëheni të drejtë.” Kur’an 2:183

Koha e obliguar për agjërim është muaji i Ramazanit, i cili është muaji i nëntë i kalendarit hënor.

5. Haxhi – Pelegrinazhi në Qaben e Bekuar

Haxhi përkufizohet si një grup veprimesh të veçanta adhurimi, të bëra në një vend të caktuar, mnë qytetin e shenjtë të Mekkes dhe në një kohë të caktuar, në muajin e Dhul Hixhe të kalendarit hënor.  Haxhi është një obligim për muslimanin në moshë madhore, i cili duhet ta kryeje atë të paktën një herë në jetën e tij, nëse ka mundësi financiare dhe fizike.