Pse koha na kalon pa e kuptuar?! 7 Mënyra si të arrijmë begatinë e kohës

Pse koha na kalon pa e kuptuar?! 7 Mënyra si të arrijmë begatinë e kohës

Megjithëse jeta është bërë shumë e shpejtë, të gjithë e ndjemë se mungon bereqeti në kohë. Duket sikur ditët na kalojnë si të ishin sekonda dhe gjithmonë themi: nesër do të bëj më shumë.

Në lidhje me këtë fenomen, Profeti Muhamed paqja e Zotit qoftë me të, thotë : “Nuk do të ndodhë Kijameti derisa viti të jetë sa një muaj, muaji si një javë, një javë sa një ditë dhe një ditë sa një çast…”

Një nga kuptimet e këtij hadithi është largimi i bereqetit në kohën tonë të përditshme. Po të shohim historitë e njerëzve të devotshëm, do të gjejmë se ata brenda një dite arrinin të kryenin shumë adhurime dhe vepra të mira të cilat ne mund të na duken të pamundura për tu arritur në kaq pak kohe.

 Në një hadith tjeter Profeti Muhammed, paqja e Zotit qoftë me të, e lidh begatinë në kohë në mënyrë direkte me pakësimin e veprave të mira dhe shtimin e padrejtësive dhe gjynaheve, duke thënë: “Koha do të shkurtohet dhe do të pakësohen veprat, zilia dhe smira do të zërë vend në zemrat e njerëzve, ndërsa krimet do të shtohen.”

Por cfarë do të thotë të jesh i bekuar në kohë. Dijetarët kanë thënë që kjo gjë kuptohet kur njeriu vepron shumë në pak kohë, por jo vetëm nga ana sasiore, por më teper nga ana cilësore, pra është produktiv.

Si të arrijmë një gjë të tillë në kohën ku jetojmë?

Duke parë jetën e të Dërguarit të Allahut, paqja e Zotit qoftë me të, dhe jetën e shokëve të tij, nxjerrim disa mësime:

  1. Zgjimi herët në mëngjes. Profeti Muahmed është lutur duke thënë: “All-llahu im, jepi bereqet umetit tim në mëngjesin e hershëm”. Ai ishte shumë aktiv në orët e para të mëngjesit, që niste që me faljen e namazit të sabahut.
  2. Largimi nga gjynahet. Në shumë raste Zoti i Lartësuar e lidh begatinë në cdo aspekt të jetës, me besimin e pastër në Zot dhe ruajtjen nga mëkatet, sic thotë në një ajet: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur (nga të bërit keq), Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka…”
  3. Shpenzimi i kohës me familjen dhe ruajtja e lidhjeve farefisnore. Edhe pse kjo gjë mund të duket si një veprim që na mer nga koha jonë, në fakt mirësia e kësaj vepre na kthehet në begati të shumfishta në kohën dhe jetën tonë. Në një hadith I Dërguari i Allahut, paqja e Allahut qoftë mbi të – ka thënë: “Kush dëshiron që t’i zgjerohet furnizimi (prej Allahut), dhe t’i zgjatet jeta, le t’i mbajë lidhjet farefisnore.” Me këtë hadith premtohet begatia në pasurinë dhe në kohën apo jetën e njeriut dhe gjithashtu me lidhje farefisnore nënkuptohet të fillosh që nga familja e ngushtë, prindërit e tu gjithashtu, dhe imagjino vetëm lutjet dhe bekimet e tyre sa të dobishme janë për jetën tonë.
  4. Të tregohesh falenderues ndaj Zotit. Allahu i Lartesuar jep një premtim madhështor në Kur’an: ”Nëse më falenderoni, Unë do tjua shumëfishoj (të mirat).” Në këtë ajet nuk përcaktohet se cilat të mira Zoti i shton falenderuesve duke e lënë të lirë për cdo gjë. Pra, nëse e sheh se Zoti të mundëson të bësh vepra të mira gjatë ditës tënde, falenderoje Atë të cilin t’i mundësoi këto vepra dhe Ai do ta shtojë këtë mirësi.
  5. Leximi i Kur’anit cdo ditë, vecanërisht leximi i sures Bekare. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Lexojeni suren Bekare, sepse leximi i saj është bekim, kurse lënia e saj është humbje.” Kur’ani, fjala e Zotit të Lartësuar ka një efekt të mahnitshëm në trupin e njeriut si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht dhe është vërtetuar se ata të cilët e kanë traditë leximin ditor të Kur’anit janë njerëz të urtë e produktivë në jetën e tyre.
  6. Përmendja e Zotit në cdo moment të ditës. Bëje pjesë të rutinës tënde edhe kur je i angazhuar me dicka tjetër, sepse sa më e afert të jetë lidhje jote me Zotin aq më e begatë do të jetë dita jote.
  7. Shoqërimi me njerëz të mirë, produktivë, të cilët bëjnë vepra të mira dhe motivojnë e këshillojnë edhe të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Shoqëria e mirë ka një ndikim të madh në përmirësimin e njeriut dhe ndërtimin e një karakteri të lartë me vlera të cilat do t’i shtojnë atij begatinë në cdo gjë qe bën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.