Pendimi është një ndër veprat më të dashura tek Allahu i Madhëruar. Ai është shkak i shpëtimit në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i ka urdhëruar besimtarët që të pendohen e i ka nxitur drejt teubes duke patur parasysh mirësinë dhe mëshirën e madhe që ka, e gjithashtu Ai nuk shpejton dënimin për robërit e Tij gjynahqarë. Ai gëzohet me pendimin e njeriut edhe pse nuk ia ka nevojën dhe e pranon pendimin prej çdo lloj mëkati, sado i madh të jetë ai.
Ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe që të gjithë ju lutni Allahun që t’ju falë të gjithëve, o besimtarë, që të mund të jeni të fituar.” (Nur: 31).
Gjithashtu ka thënë: “O ju që keni besuar! Kthejuni Allahut me një pendim të çiltër e të vërtetë!” (Tahrim: 8).
Transmetohet nga El-Egarr ibn Jese’r El-Muzenij (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:
“O ju njerëz! Lutjuni Allahu që t’ju falë dhe pendohuni tek Ai! Me të vërtetë që unë i kërkoj falje Atij njëqind herë në ditë.” (Transmeton Muslimi, 2702, dhe Ebu Daudi, 1515).
Gjithashtu transmetohet nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:
“Allahu gëzohet me pendimin e robit të Tij më shumë sesa :dikush i cili ka udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë e i ka humbur ajo, duke pasur aty ushqimin dhe ujin e tij, e ai e ka humbur shpresën për ta gjetur përsëri, e në atë gjendje, ai shtrihet nën hijen e një peme, kur ndërkohë atij i shfaqet përballë tij deveja që kishte humbur, ai ngrihet e kap për litari dhe nga gëzimi i madh thërret duke thënë: “O Zoti im! Ti je robi im, ndërsa unë jam zoti yt” duke u shprehur gabimisht nga gëzimi i madh.” (Transmeton Buhariu, 6309, dhe Muslimi, 2747).
Gjithashtu transmetohet nga Ebu Seid El-Khudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
“Njëherë e një kohë, përpara jush, ka ekzistuar një njeri i cili ka vrarë nëntëdhjetë e nëntë vetë. Ai pyeti për njeriun më të dijshëm që gjendej në atë kohë, dhe e drejtuan te një asket (njeri që bënte shumë adhurim). Shkoi aty, e i tha që kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë vetë, e e pyeti se a ka pendim për të. Ai iu përgjigj duke i thënë që nuk ka pendim për ty, e si pasojë e kësaj përgjigjeje, ai e vrau, dhe i plotësoi njëqind vetë. Pastaj pyeti përsëri për njeriun më të ditur në tokë, e e drejtuan te një dijetar. Ai i tregoi se ka vrarë njëqind njerëz dhe e pyeti se a ka për pendim për të. Ai iu përgjigj duke i thënë:
Sigurisht që ka, askush nuk mundet që të të pengojë ty prej pendimit. Shko në filan vend, aty banojnë njerëz të cilët e adhurojnë All-llahun , adhuroje All-llahun me ta dhe mos u kthe asnjëherë në vendin tënd, sepse ai është një vend i keq.
Ai (vrasësi) u nis derisa arriti në gjysmë të rrugës, e aty ndërroi jetë. Atëherë filluan të debatojnë ëngjëjt e mëshirës me ata të dënimit. Ëngjëjt e mëshirës thanë që ai erdhi i penduar, me zemrën e drejtuar nga Allahu i Madhëruar. Ndërkohë që ëngjëjt e dënimit thanë që ky njeri nuk ka vepruar asnjë vepër të mirë në jetën e tij. Në ato momente, aty shfaqet një ëngjëll që kishte marrë formën e një njeriu, e ata e caktuan si gjykatës në mesin e tyre. Ai i tha:
Matni në mes dy vendeve, vendit të adhurimit dhe atij të mëkateve, e më afër cilit vend të jetë, atij vendi i takon.” Ata e matën dhe konstatuan se ishte më afër vendit drejt të cili ishte nisur, vendit të adhurimit, e pastaj e morën engjëjt e mëshirës.” Ka ardhur në një transmetim tjetër në Sahihun e Buhariut: “Allahu e urdhëroi njërën anë të tokës të largohej, dhe njërën anë të afrohej.” (Transmeton Buhariu, 6/512, dhe Muslimi, 2766.)